Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot tryezën “Faza finale e dialogut: këndvështrimi i subjekteve politike”, me shefat e grupeve parlamentare të partive politike, njofton kumtesa.

Gjatë këtij diskutimi panelistët paraqitën qëndrimet e partive politike rreth fazës së re të dialogut me Serbinë, platformën si dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë proces, transmeton Koha.net.

Në hapje të tryezës, Jeta Krasniqi nga KDI theksoi se spektri politik vendor duhet të ndërtojë një konsensus për të mbrojtur sa më mirë interesin shtetëror gjë që ende nuk është arritur.

“KDI më 29 maj i është drejtuar me një kërkesë publike Kuvendit të Kosovës, deputetëve të Kosovës për mbajtjen e një senacë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth së ardhmes së dialogut Kosovë-Serbi duke konsideruar rëndësinë që Kuvendi i Kosovës duhet të luaj në këtë proces”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK e përkrah dialogun por secili individ dhe institucion duhet të qëndrojë brenda kompetencave dhe përgjegjësive që i ka. Hoti shtoi se si deputet, nuk kanë asnjë informatë se çka do të sjellë marrëveshja ligjërisht e obligueshme, nëse do të ridefinohet shtetësia e Kosovës apo nëse do të hapet kushtetuta.

Ndërkaq, Memli Krasniqi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, theksoi se dialogu me Serbinë nuk ka qenë dhe nuk është zgjedhje e Kosovës por një obligim, veçanërisht në rrugën e integrimit evropian. Krasniqi vlerësoi se marrëveshja që do të arrihet do t’i tejkaloi përmasat e një gjenerate prandaj është e nevojshme që të ketë gjithëpërfshirje dhe unitet në këtë proces. Krasniqi shtoi se kompromis do të ketë, por ky kompromis sipas tij nuk do të cenoj sovranitetin dhe unitaritetin e Republikës së Kosovës.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të LVV-së, vlerësoi se agjenda e dialogut nuk duhet të dominohet nga agjenda personale e presidentit Thaçi. Konjufca nënvizoi se presidenti Thaçi nuk ka mandat e as të drejtë që të bisedojë në Bruksel. Tutje, Konjufca u shpreh së Vetëvendosje do të përdor të gjitha resurset që i ka në dispozicion për të pamundësuar kompromise të reja të cilat e prekin sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Kurse Dardan Sejdiu, shef i grupit parlamentar të PSD-së, vlerësoi se Kuvendi duhet t’i jap dritën jeshile çdo vendimi që ka të bëjë me procesin e dialogut. Ai theksoi se procesi duhet të ketë legjitimitet dhe përkrahje kualitative nga Kuvendi i Kosovës, në veçanti të platformës dhe ekipit përfaqësues. Gjithashtu, Sejdiu shtoi se duhet të krijohet një komision mbikëqyrës i cili do të siguronte transparencë dhe llogaridhënie të këtij procesi.

Bilall Sherifi, shef i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate u shpreh se e përkrahin këdo që shkon në dialog me kusht që sovraniteti, integriteti dhe unitariteti i vendit nuk cenohen. Megjithatë, Sherifi theksoi se një gjë e tillë është pak e besueshme kur kemi parasysh rrjedhën e procesit deri më tani dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sherifi vlerësoi se procesi nuk duhet të jetë në duart e asnjë individi dhe se duhet të ketë diskutim në Kuvend për marrëveshjet para se ajo të arrihet dhe të sillet për votim.

Muharrerm Nitaj nga grupi parlamentar i AAK-së, theksoi se partitë opozitare nuk duhet ta përjashtojnë veten nga ky proces me rëndësi për vendin. Nitaj kërkoi që mos të bëhen kalkulime politike për të përfituar nga kjo situatë derisa theksoi se Kuvendi duhet ta ketë çelësin në dorë të këtij procesi.

Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.