Sot në Kuvendin Komunal është mbajtur seanca e jashtëzakonshme me pikë të rendit zvarritja e punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, njofton Llapi.info
Në këtë seancë kur të gjithë paraqitën problemet që sipas tyre, po i sjellë zvarritja e punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, Grupi parlamentar i PDK-së ka menduar edhe për emërtimin e kësaj rrugë e që punimet ende nuk janë kryer.
“Ne si grup i këshilltarëve të PDK-së propozojmë që rruga magjistrale Podujevë-Prishtinë të mbajë emrin e heroit Ilir Konushevci”, ka thënë Floretë Zejnullahu nga PDK-ja.
Pas këtyre fjalëve reaguan këshilltarët komunalë, duke thënë se emri i rrugës vendoset pasi të përfundojnë punimet.
“Të kryhen njëherë punimet, pastaj emrin ia vendosim si të doni”, tha Fitim Haziri nga VV.
Ndryshe, kjo seancë u mbyll pas konsultimeve të shefave të grupeve parlamentare, duke u dakorduar që drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, nga Ministria e Infrastrukturës të marr projektin e zgjerimit të rrugës nacionale Podujevë-Prishtinë dhe të njëjtin t’ua shpërndajë shefave të grupeve të këshilltarëve./Llapi.info