Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pas dorëheqjes nga partia të së ish-kandidatit për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, raporton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj ka thënë se do të angazhohen për të kthyer PDK-në, sic ka thënë ai, si forcën e parë politke në Podujevë dhe në Kosovë.
“Sot, kam pranuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të Degës së PDK-së në Podujevë, të mikut tim Naim Fetahut. Publikisht, e falënderoj Naimin për punën e tij të jashtëzakonshme në Podujevë. Pa dyshim, ai ishte kandidati më i mirë në zgjedhjet e fundit dhe garancia e vetme për zhvillimin e Podujevës. Këtë, llapjanët do ta kuptojnë shumë shpejtë. Si profesionist, themelues i PDK-së në Podujevë, kontribues i proceseve politike në shumë nivele, nga ai lokal deri në atë qëndror, Naimi ka ditur gjithmonë të zgjedh interesat e qytetarëve në radhë të parë. Naim, kryesi e degës dhe struktura faleminderit për angazhimin. Ju jeni pjesa më krenare dhe një aset i çmuar i partisë tonë. Së bashku, do të angazhohemi edhe më shumë që ta kthejmë PDK-në si forca e parë politike në Podujevë dhe Kosovë, duke punuar në të mirë të popullit dhe shtetit”, ka shkruar ai.
Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu ka dhënë dorëheqje nga të gjithë pozitat që i mban brenda partisë.
Fetahu, në një postim në Facebook ka thënë se dorëheqja nga pozitat brenda PDK-së, po bëhet për shkaqe personale./Llapi.info