Ditë më parë, në Komunën e Podujevës, kanë arritur 150 doza të vaksinave anti-covid për punëtorët shëndetësorë në këtë Komunë, raporton Llapi.info.
Vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë publikë dhe privatë do vazhdojë edhe nga e hëna, ndërkohë që nga e marta pritet të nis vaksinimi i personave të moshuar mbi 81 vjeç.
Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama.
“Më datë 12.04.2021 vazhdojnë të vaksinohen stafi shëndetësor publik dhe privat. Planifikohet që nga 13.04.2021 të vaksinohen të moshuarit mbi moshën 81-vjec, sipas listës që janë lajmëruar”, është shprehur Rama.
Ndërkohë, mbi 120 raste të reja me koronavirus janë regjistruar nga e hëna gjerë më sot. Vetëm përgjatë 24-orëve të fundit janë konfirmuar 38 raste pozitive. Prej tyre, 20 janë në qytet, 2 raste në fshatrat; Dobratin, Gllamnik, Konushec, Kërpimeh dhe Siboc i Epërm dhe me nga një rast në fshatrat; Balloc, Bellopojë, Bradash, Llapashticë e Epërme, Obrançë, Pakashticë e Epërme, Peran dhe Shakovicë.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 4 mijë. Deri tash janë raportuar 51 viktima, kurse mbi 3 mijë pacientë janë shpallur të shëruar, ndërkohë që rreth 300 persona janë aktivë me COVID-19./Llapi.info