Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 ka mbajtur takim, në të cilin është shqyrtuar gjendja aktuale me pandeminë dhe respektimin e masave mbrojtëse, njofton Llapi.info.
Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, u informua nga bartësit e sektorëve lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike në komunë dhe kërkoi veprime dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19, epidemiologia Bedrie Rama, tha se situata është e menaxhueshme. Ajo tha se deri tani janë shëruar 3,940, persona të infektuar me Covid-19, kurse janë 327 raste aktive, ndërsa exitus 59 persona kanë humbur jetën.
Komandanti i Stacionit të Policisë, majori Isak Ejupi, tha se janë duke zbatuar planin operativ në përputhje me Ligjin anti-Covid. Ai tha se gjatë kësaj jave janë shqiptuar 156 gjoba për mos respektim të masave mbrojtëse nga Covid-19. Komandanti potencoi bashkëpunimin e ngushtë me inspeksionin komunal, duke thënë se vazhdimisht janë të angazhuar në teren për zbatimin e masave në parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Drejtori i Administratës, Bahri Selimi tha se administrata komunale është duke vazhduar punën me staf esencial dhe se është duke respektuar vendimet e Qeverisë për zbatimin e masave anti-Covid. Drejtori Selimi theksoi se aktualisht në administratën komunale nuk ka ndonjë rast të identifikuar pozitiv me Covid-19.
Drejtori i Arsimit, Avni Fetahu tha se gjatë kësaj jave ka vizituar disa shkolla, në të cilat, sipas tij, gjendja është stabile, dhe pavarësisht kontakteve të nxënësve, numri i të infektuarve është i vogël./Llapi.info