Erërat e forta kanë rrëzuar sot pjesë të skenës së ngritur për shënimin e aktiviteteve për “Javën e Diasporës”, në sheshin kryesor të qytetit, ku për pasojë janë lënduar dy fëmijë, raporton Llapi.info.

Lajmin e ka bërë të ditur në një postim në Facebook, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka theksuar se gjendja e të lënduarve është e mirë.

“Në sheshin “Katër Dëshmorët” pas erërave të forta të ditës së sotme, është rrëzuar pjesa ballore e skenës së ngritur për shënimin e aktiviteteve për “Javën e Diasporës”. Për pasojë janë lënduar dy fëmijë, për të cilët mënjëherë nga ekipa e QKMF-së është dhënë ndihma e nevojshme. Fëmijët gjatë marrjes së shërbimit mjekësor i kanë vizituar, Drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu dhe Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, të cilët nga ekipet mjeksore janë njoftuar se gjendja shëndetësore e fëmijëve është e mirë. të lënduar iu uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar ai./Llapi.info