Eroll Vitaku, pronar i “Ervi Company”, u ka paguar haraç për 7 vjet personave që janë thirrur në emër të komnadantëve nga Podujeva, Rrustem Mustafës- Remit e Latif Gashit – Latës. Ai ditë më parë, për këtë gjë është sulmuar nga disa persona në kafiterinë “Blu Sky”. Kështu, ka thënë në emisionin “Puls” të KTV-së.

“Unë jam sulmuar nga një grup i përbërë nga Artan Ratkoceri, jurist sipas tij, djali i axhës së tij, Shkumbin Ratkoceri, jurist, i cili ka pasur edhe foto në Facebook që ka qenë kandidat për asamblenë komunale me numër 23 të PDK-së për komunën e Podujevës. Këta dy janë arrestuar, por jam sulmuar edhe nga dy persona tjerë që për çudi janë ende në arrati. Jam sulmuar në mes të Pallatit të Rinisë në kafiterinë “Blu sky”, ka thënë Vitaku në “Puls”.

“Për lokalin të cilin e kam me qira në Pallatin e Rinisë, qiranë ia paguaj Pallatit të Rinisë. Por kur e kam marrë me qira, e kam marrë nga ish-qiraxhiu i cili më tha se ky lokal është i Artanit, pra do të paguash qira mbi qira – pra haraç të legalizuar. Kam edhe dokumente e kontrata. Unë kam pranuar me marrëveshje që vetëm dy vjet të paguaj haraç, mirëpo pas dy ose tri vjetëve të ndalet kjo formë e pagesës dhe të kaloj në shitblerje të së drejtës. Ai e ka bërë këtë kontratë tek avokati, e ka përpiluar dhe vërtetuar tek avokati Visar Vehapi”, ka treguar Vitaku.

Ai ka treguar se për tre vjet ka paguar sipas kësaj marrëveshjë edhe pse e ka ditur se nuk ka qenë në rregull. Ai, po ashtu, i ka paralajmruar që në vitin 2015 nuk do të paguaj më.

“Kompania ime “ErviSport” paguan 2050 euro në muaj, kurse Artanit, sipas kësaj kontrate, i detyrohem në avans 10500 euro në vit apo 875 euro në muaj. Pra, tri vite kam paguar sipas kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se e kam ditë që nuk është në rregull kjo me bindjen se kjo do të përfundojë. Deri në vitin e kaluar qëndrova disi, por, kriza e bëri të veten dhe nuk kisha mundësi të paguaja më. E paralajmërova që vitin 2015 nuk paguaj më”, ka thënë Vitaku.

“7 vjet kam paguar në këtë formë. 3 vitet e para i kam paguar nga 10500 euro në vit, 2 vite tjera nga 8500 euro në vit, 1 vit 7500 dhe vitin e fundit 7200 euro, që i bie komplet 63200 euro të paguara në emër të harçit të legalizuar”, ka shtuar ai.

Se në emër të kujt janë thirrur personat që ky u ka paguar haraç, ai përmend emrat e dy komandantëve nga Podujeva, Rrustem Mustafës- Remit dhe Latif Gashit- Latës.

“Këta djem janë thirrur gjithmonë në emër të Komandant Remit dhe Komandant Latif Gashit, pra dy deputetëve, dhe thirren në emër të luftës së UÇK-së. Unë besoj se edhe ata persona në emër të të cilëve thirren këta, janë lodhur nga këta persona që kërkojnë haraç. Më kanë kërcënuar, më janë futur në lokal duke më kërcënuar. Për këtë lloj krimi, thirren në emër të dikujt apo të UÇK-së. Po ashtu, ai ka ardhur dhe më ka kërcënuar duke thënë se “unë kam luftuar për këtë lokal, pyeteni Enver Gashin, pronarin e butikut “Qarlli”. Dy plumba i ka nga unë. Vete si ka kaluar dhe jam në gjendje me vra dikë për këtë lokal”, ka thënë Vitaku.

Arsyeja pse ai është sulmuar është lokali që ka marr me qira nga AKP-ja dhe Pallati i Rinisë, pa dijenin e Artanit.

“Të ju tregoj pse jam sulmuar… E kam marrë edhe një lokal me qira nga AKP-ja dhe Pallati i Rinisë dhe ai Artani më ka thirrur në telefon dhe më ka thënë se nuk guxon të bësh asnjë marrëveshje me Pallatin e Rinisë pa dijeninë e tij. Ditën kritike isha me djalin në lokal dhe më ka thirrur në telefon dhe më ka kërcënuar me fjalët “qysh ke guxu me ba marrëveshje më Pallatin e Rinisë”, dhe kërkoi nga unë që urgjentisht të takohemi dhe shkova në “Blue Sky”. Unë jam sulmuar nga 4 persona. Artani ishte me mua, tre i kisha mbrapa meje. Janë kamerat në prokurori krejt komplet. I thash, mos hyr në shitore të ma kërcënosh gruan time por merremi vesh. Unë kam ardhur që t’ju tregoj se nuk dua të vazhdoj më në këtë formë ose po dal… jepja dikujt tjetër lokalet, nëse jo, atëherë ia lëmë shtetit e të merremi vesh. Në ato momente, ai mu ka kërcënuar se si ke pasur guxim të bësh marrëveshje me Pallatin për lokale pa dijeninë e tij. Pas këtij muhabeti, me shishe të Coka Colës më ka godit në kokë pastaj nga mbrapa më kanë godit tre personat që ishin me të. Pra, kam pësuar goditje të rënda. Nga koka ime dje kam nxjerr copa të xhamit nga thyerjet që janë bërë në kokën time. Unë mendoj se ata më kanë sulmuar në mes të Pallatit për t’iu dhënë mesazh të tjerëve. EULEX-i ka ardhur në vend të ngjarjes dhe më kanë marrë në pyetje dhe rasti tash është hapur dhe EULEX-i ka filluar hetimet”, ka treguar Vitaku.

Në emisionin “Puls” ishin të ftuar edhe Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, Tomë Gashi, avokat dhe Vehbi Kajtazhi, gazetar, të cilët theksuan se këto raste duhet raportuar me kohë në polici, në mënyrë që të parandalohen me kohë./llapi.info