Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu, zëvendësministrat Hanefi Muharremi dhe Fehmi Mujota si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës përuruan rikonstruktimin e rrugës regjionale R 126, segmenti Pollatë – Reçicë (te kulla e Demë Ahmetit), te Ura në fshatin Sllatinë, njofton kumtesa ministrore, transmeton Llapi.info.
Sipas kësaj kumtese Ministri Zharku uroi Veliun dhe banorët e komunës së Podujevës për këto projekte me rëndësi të madhe, të cilat po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.
“Ne, sot, së bashku me kryetarin, zëvendësministrat, deputetët e pranishëm dhe bashkëpunëtorët e tjerë përuruam përfundimin e punimeve të rrugës Pollatë-Reçicë-Demë Ahmetaj, një projekt me gjatësi prej 8.7 kilometrash dhe me vlerë rreth 1.5 milionë euro.”, theksoi Zharku.
Ndërsa Veliu e falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për investimet e bëra në infrastrukturën e komunës së Podujevës dhe uroi banorët e kësaj komune për këtë ngjarje shumë të veçantë.
Ndryshe, rikonstruktimi i rrugës regjionale R126, segmenti Pollatë – Reçicë (te kulla e Demë Ahmetit) dhe zgjerimi i rrugës nacionale N25, segmenti rrethrrotullimi Besi-Podujevë, Loti 5 janë investim i Ministrisë së Infrastrukturës./Llapi.info