Gazeta e përditshme franceze, Le Monde, sot me një artikull të veçantë është marrë me zhvillimet e fundit në Kosovë e në Serbi.

Në fokus të interesimit të gazetës kanë qenë idetë e dala fillimisht nga Beogradi e pastaj edhe nga Prishtina për ato që dy këto qendra ballkanike, përmes udhëheqësve të tyre, i quajnë herë korrigjime kufijsh e herë këmbime territoresh e herë ndarje tokash ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Artikulli me titull që e ka edhe portali ynë Koha.net, pasi fillimisht thekson se Beogradi e Prishtina po përmendin këmbimin e territoreve, këtë “iniciativë” autori i shkrimit Jean Baptiste Chastand e quan lojë të rrezikshme në Ballkan, transmeton Koha.net.

Pjesë nga shkrimi:

A mund të ndryshohen kufijtë në Ballkan?

Një kohë të gjatë e paimagjinueshme në emër të stabilitetit të një rajoni të sfilitur nga shumë luftëra në vitet 1990, kjo mundësi që po i frikëson shumë kancelari evropiane, doli papritur në negociatat e gjata e delikate ndërmjet Serbisë e Kosovë.

Në një deklaratë të paraqitur, kryetari i këtij ish –rajoni serb që u bë i pavarur në vitin 2008, Hashim Thaçi, shpjegoi publikisht në fillim të gushtit se “se korrigjimi i kufijve” mund të ndodhte “në kuadër të një zgjidhjeje paqësore me Serbinë”.

Kjo ide shpërthyese, deri më tash gjithmonë ishte lënë anash nga autoritetet e Kosovës, vend me shumicë shqiptare por ku jeton edhe një minoritet i madh serb.

I ndodhur kryesisht në veri të vendit, përreth qytetit të ndarë të Mitrovicës, gjithmonë i ka ruajtur raportet me autoritetet e Beogradit pa e njohur kurrë pavarësinë e Kosovës.

E kjo situatë juridike e paqëndrueshme bën majën e pengesës së negociatave ndërmjet dy vendeve.

Veriu i Kosovës është bërë zonë ku nuk sundon ligji dhe vend i mafisë dhe i vrasjeve politike: në janar këtu u vra një opozitar politik serb.