Rreth tri javë pas përurimit të fabrikës për përpunimin e perimeve në Podujevë prej 500 të punësuarve sa ishin gjithsej, tani punën e vazhdojnë vetëm gjysma prej tyre. Arsyeja e zvogëlimit të numrit të punëtorëve nuk është bërë e ditur nga udhëheqësit e kompanisë “Jaha Group”, shkruan Llapi.info.
Arsyen e saktë të largimit nga puna nuk e dinë as ish-punëtorët e kësaj kompanie.
“Jena rreth 200 punëtorë që na kanë largu prej punës. Nuk na i kanë vazhdu kontratat, na kanë thanë se nuk ka punë për krejt qata punëtorë që jena kanë. Nuk na kanë dhanë arsye tjetër”, tha njëri nga të larguarit për Llapi.info.
Sipas tij, disa prej të larguarve, para se të fillonin punën në këtë kompani ishin të punësuar diku tjetër, mirëpo e kanë lënë punën paraprake pas hapjes së kësaj kompanie me shpresë se puna këtu do të jetë afatgjate.
“1 muaj kemi punu pa kontratë, mas 1 muaji na i kanë ba kontratat për 3 muaj, po na kanë thanë që ekziston mundësia me i vazhdu, po neve nuk na i vazhduan dhe prej fillimit të nëntorit na jena pa punë. Do jena kanë që kena punu dikun tjetër po masi thoshin që kanë me e rrit numrin e punëtorëve kena mendu që kena me punu ma gjatë këtu”, vazhdoi më tutje ish-punëtori i kësaj kompanie.
Se do të rritet numri i punëtorëve është thënë edhe në ditën e përurimit të kësaj fabrike, me 6 tetor të këtij viti. Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i cili mori pjesë në këtë përurim tha se ka mundësi që të rritet numri i punëtorëve të kësaj fabrike.
“Ky është një shembull i mrekullueshëm dhe po ashtu e vlerësojmë investimin shumë të madh që është bërë deri më tani këtu, sepse është fjala për investim miliona eurosh dhe për një punësim të lartë. Deri më tani kemi mbi 500 punëtorë që kanë filluar dhe kanë gjetur punë në këtë fabrikë, me një mundësi potenciale që kjo të trefishohet, ashtu siç u informuam, për një periudhë të shkurt kohore, prapë me finalizimin e produkteve në Kosovë, përkatësisht në Podujevë”, theksoi Mustafa në ceremoninë e përurimit të kësaj fabrike.
Mirëpo, lidhur me këtë çështje nuk janë deklaruar asnjë nga personat përgjegjës të kompanisë “Jaha Group” në Podujevë. Gazetarë të portali Llapi.info dy ditë radhazi ka vizituar këtë kompani për të marrë informacione për arsyen e largimit të këtyre punëtorëve mirëpo, gazetarët janë kthyer pas me arsyetimin se drejtori, nuk gjendet aty. Pas dy ditëve Llapi.info ka kontaktuar përmes telefonit me zyrtaren e burimeve njerëzore të kësaj kompanie, Dëbora Meta, e cila pas konsultimit me menaxher ka thënë se për momentin askush nga kompania nuk mund të flas lidhur me çështjet e kësaj kompanie.
Fabrika për përpunimin e perimeve në Podujevë është një investim gjerman në bashkëpunim me investitorët vendas./Llapi.info