Grupet e reja dhe të forcuara “QAnon” po rriten me një shpejtësi të paparë në Facebook. Këto grupe po përhapin teori të pabaza dhe të rrezikshme konspirative në shtete të reja të botës. Gazeta britanike “The Guardian” ka dokumentuar më shumë se 170 grupe “QAnon”, faqe dhe llogari në Facebook e Instagram. Krejt këto kanë më shumë se 4.5 milionë ndjekës. Dhe janë funksionale në më shumë se 15 shtete të regjistruara në Facebook.
Rritja e komunitetit “QAnon” në Facebook është bërë në kohën kur platforma rivale “Twitter” mori masa për të bllokuar përmbajtjen dhe llogaritë e teorive konspirative, me arsyetimin se informimi i dëmshëm i tyre po e dëmton shoqërinë.
Në kohën e bllokimit nga Twitteri, burime të ndryshme anonime kanë thënë për gazetën “New York Times” se Facebooku po planifikonte hapa të njëjtë si Twitteri kundër teorive konspirative. Në të njëjtën kohë, algoritmi i rekomandimeve të Facebookut ka vazhduar t’u japë përparësi grupeve “QAnon” dhe disa prej tyre janë rritur ndjeshëm.
Kërcënim terrorist
“QAnon” është teori e pabazë konspirative, përkrahësit e të cilës besojnë se Donald Trumpi ka nisur një luftë tinëzare ndaj grupimeve “deep state” të demokratëve dhe yjeve të Hollywoodit të përfshira në pedofili dhe trafikim seksual. Teoria nisi në teorinë konspirative “pizzagate” të vitit 2016. Ky grupim është rritur aq shumë sa ka futur rrënjët në politikën e vërtetë.
Një numër i përkrahësve të “QAnon” janë duke garuar për partinë Republikane në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, FBI-ja i ka identifikuar këto grupe si kërcënim terrorist.
Në fund të qershorit, komunitetin “QAnon” e përbënin më shumë se 100 faqe, profile dhe grupe në Facebook dhe Instagram. Secila prej tyre kishte nga 1 mijë ndjekës në këto rrjete sociale. Grupet më të mëdha kanë nga 150 mijë ndjekës ose anëtarë. Si tërësi kanë arritur të sigurojnë më shumë se 3 milionë përcjellës dhe anëtarë. Deri në muajin gusht këto grupe janë rritur për 34 për qind dhe tani kanë 4 milionë përcjellës dhe anëtarë. Disa prej grupeve janë arritur aq shumë në këta dy muaj sa tani kanë nga 200 mijë anëtarë. Krejt këto grupe janë krijuar nga muaji maj i vitit 2020 dhe në këtë periudhë kanë joshur 560 mijë ndjekës… (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)