Sociologu dhe opinionisti Fadil Maloku ka hedhur tezën e tij për ndryshime në stemën politike në Llap në zgjedhjet lokale në vitin 2017 pas ndryshimeve që ndodhën në Drenas në zgjedhjet e ditës së Dielë.
Duke u bazuar në rënien e votave të PDK-së në Drenas, Maloku thotë se skenar i njejtë e pret edhe LDK-në, siç e ka quajtur ai në “kështjellën” e saj, në Llap në zgjedhjet lokale të vitit 2017 njofton Llapi.info.
“Si fillim i SHEMBJES së monopolit që ishte skajshmërisht i ndërtuar në benefitet e sakrificës dhe stoicizmit, në vend të Programeve dhe Projekteve konkrete zhvillimore; për zbutjen e varfërisë dhe reduktimin e papunësisë! Duket që i njëjti skenarë, sipas një efekti domino do ta pret edhe pandamin e PDK-s, LDK-n, në “kështjellën” e saj në Llap, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017“, theksoi Maloku.
Por balotazhi i dalur nga zgjedhjet të fundit mes PDK-së dhe NISMA-së në Drenas sipas Malokut del të jetë i rëndësishëm pasi që shihen edhe ndryshime në qytetarinë kosovare.
Maloku Drenicën dhe Llapin i ka quajtur komuna shembull sipas tij të “pushtimit” të dy partive më të mëdha të vendit, PDK-së dhe asaj LDK të cilat kanë udhëhequr me Llapin dhe Drenicën nga pas lufta.
“Tani, me rastin e rivotimit në Drenas, u pa qartë se i gjithë ai: monopol, dominim dhe “pushtim”, ka filluar padyshim të zbehet dhe të shembet ngadalë, por sigurt! Shikuar me dioptrinë e një sociologjie zgjedhore, na del se: i gjithë ky proces i jodominimit (!), do bëhet i rëndësishëm dhe shumë i shëndetshëm, jo vetëm për Drenasit, por, edhe për gjithë qytetarinë kosovare”, ka shkruar Maloku
Të shëndetshëm e ka quajtur ndryshimin që ka ndodhur në zgjedhjet lokale në Drenas Maloku duke shtuar se ky ndryshim sipas tij është i sigurt pasi që këto dy parti gjithmonë janë thirrur në vlera të “luftës” dhe “paqes”.
“Ky ndryshim është I SHËNDETSHËM, sepse kjo komuna e Drenasit dëshmoi dosido, për fillimin e një vetëdijesimi të ngathët, por, shumë të sigurt për rolin e arratisjes së qytetarëve nga statusi i “turmës” së dëgjueshme, në statusin e një qytetaria të emancipuar politikisht, që din dhe mundet të ndryshoj këtë monopol oligarkik, të promovuar dhe të propaganduar për gati dy dekada të tëra, në emër të vlerave “luftës” dhe “paqes”- tha ai. /Llapi.info/