Ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, mori vendim për t’i liruar nga detyra të gjithë të emëruarit politikë nga kjo parti, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion ose nepotizëm, raporton Llapi.info
E ky vendim duket se i ka konvenuar degës së kësaj partie në Llap. Kjo pasi që sipas burimeve të Llapi.info, vendin e tashmë të liruarit Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, do ta zë ish-kandidati për kryetar të PDK-së në Podujevë, Fahri Osmani.
Sipas burimeve, emërimi i Osmanit në krye të kësaj ministrie do të bëhet ditëve në vijim nga i pari i PDK-së, Kadri Veseli.
Ndryshe, Fahri Osmani ka qenë kandidat për kryetar të PDK-së në Podujevë, por që u mposht nga Naim Fetahu, e kjo ka bërë që Osmani të vendoset në krye të Ministrisë së Inovacionit.
Ndërkohë, që nga themelimi i PDK-së, asnjë anëtar i kësaj partie nga kjo degë nuk ka qenë udhëheqës i ndonjë ministrie./Llapi.info