Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se së fundi është parë një përkeqësim i situatës epidemiologjike në Kosovë dhe nëse vazhdohet ky trend mund të shtyhet faza e dytë e planifikuar më 18 maj për hapje graduale.

Ai në Info Magazine tha se qytetarët dhe bizneset i kanë keqkuptuar mesazhet e lirimit të masave, njofton Klan Kosova.

“Komiteti për Menaxhimin e pandemisë Covid-19 ka mbajtur mbledhje të rregullt dhe të gjithë pjesëmarrësit kanë konstatuar se ka një përkeqësim sa i përket situatës epidemiologjike, pasi kemi pasë ngritje të rasteve tri ditët e fundit pasi rastet arritën deri në një. Ajo çka ka shqetësuar Komitetin është mesazhi i gabuar në popullatë që shifrat e ulëta i kanë kuptuar si mundje ndaj epidemisë”.

“Në fundjavë Komiteti do të bëjë disa konstatime për situatën me virusin, por do ta merr parasysh edhe si do të sillen qytetarët dhe bizneset. Nëse në fundjavë konstatohet se situata po përkeqësohet mund të shtyhet fillimi i fazës së dytë më 18 maj. Tash nuk ka vendim, por nëse rriten rastet dhe bizneset e qytetarët nuk i zbatojnë masat mund të ndodhë që e shtyjnë fillimin e hapjes graduale ekonomike. S’ka ende vendim, por kjo s’nënkupton përçimin e mesazhit se lufta kundër koronavirusit ka përfunduar”.

Vdekja e sotshme e pacientes së dializës nga Rahoveci e ka çuar në 29 numrin total të vdekjeve, 20 prej të cilave janë nga komuniteti shumicë në Kosovë dhe nëntë janë nga veriu i Kosovës që janë raportuar në IKSHPK.

Deri tani janë bërë 10,130 testime, 895 raste kanë rezultuar pozitive, 657 janë shëruar dhe 209 raste janë aktive.