Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot ka pritur Isa Ajetin, përfaqësues i familjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, heroit Ali Ajeti, transmeton Llapi.info.

Isa Ajeti gjatë këtij takimi falënderoi të parin e Podujevës për kontributin e dhënë në nderim të figurës dhe veprës së heroit Ali Ajeti me vendosjen e shtatores së tij në Bulevardin e Dëshmorëve të Podujevës.

Me këtë rast Veliu tha se ndjehet i nderuar me këtë falënderim.

“Entuziazmi dhe pjesëmarrja masive me rastin e vendosjes së këtij monumenti, është treguesi më i mirë për respektin e qytetarëve llapjanë ndaj figurës së heroit Ali Ajeti”.

“Kujdesi dhe nderimi institucional i figurave tona kombëtare është obligim i përhershëm i yni, për veprën dhe sakrificën e tyre në çlirimin e vendit deri në shtetformim”, ka thënë Veliu.

Ndryshe, shtatorja e heroit dhe prijësit të “Çetës së Llapit” Ali Ajeti u vendos në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë në shkurt të këtij viti, me një manifestim të organizuar në kuadër të aktiviteteve në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës./Llapi.info

Fotografia e Agim Veliu

Fotografia e Agim Veliu