Pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, edhe në Podujevë besimtarët e fesë islame sot po shënojnë festën e Fitër Bajramit e cila nisi me faljen e namazit, njofton Llapi.info

Imamët në xhamitë e mëdha, gjatë ligjëratave të tyre kërkuan që të mbretërojë paqja dhe dashuria mes njerëzve në gjithë vendin.

Imami i xhamisë së qytetit të Podujevës “Met Podjeva”, Idriz Bilalli, duke u lutur që përkushtimi i muajit të Ramazanit të pranohet, ka përmenduar shkuarjen e të rinjve nëpër lufta në Siri dhe Irak.

“Jemi tubuar sot këtu në xhami ashtu siç tubohen miliona e miliona besimtarë në botë, që së bashku ta festojmë këtë Fitër Bajram. Vendi ynë krahas probleme që kishte pas përfundimit të luftës në Kosovë, është ballafaquar edhe me një problem të ngjyrës sektariane-fetare që ka shkaktuar pasoja brenda komunitetit tonë. Shkuarja e një numri jo të vogël e të rinjve tanë në lufta në Siri dhe Irak, dhe shfaqja e tyre nëpër ekrane televizive si luftëtarë të grupeve terroriste, e kjo i ka dhënë armiqve tanë material që neve të na paraqesin si një shoqëri që kultivon dhe prodhon njerëz, që në emër të islamit vrasin të pafajshmit. Udhëheqësit serbë edhe sot nuk lënë takim zyrtar pa e përmendur shkuarjen e të rinjve në Siri dhe aktet e tyre terroriste, por që nuk kanë të drejtë të flasin për këtë. Sepse ne jemi shumicë absolute kundër manipuluesve të fesë, por fatkeqësisht ju kemi dhënë material që të përdoret ky element. Dikush do të duhej të jap përgjegjësi që mbështeten interpretime devijante në vendin tonë. Qëllimi ynë është që të krijojmë besim racional dhe kjo festë na bashkoftë, mëria të largohet mes njerëzve dhe të rritet dashuria dhe paqja”, ka thënë Bilalli.

Edhe xhamia e vjetër në Podujevë sot ka qenë e mbushur me të rinj e të moshuar, të cilët kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit.

Faljen e namazit e ka bërë imami i kësaj xhamie, Imri Llugaliu, i cili në ligjëratën e tij uroi që kjo ditë të festohet dhe që të shtohet dashuria në mes njerëzve, duke e larguar urrejtjen.

“Ramazani na jep mësim ndaj trupit tonë, andaj mos të japim vetëm ndaj të mirave të kësaj bote, por ta minimizojnë për hatër të shëndetit tonë dhe të solidarizohemi me të tjerët. Uroj që pas këtij muaji, adhurimi ndaj Zotit mos të ndalet, uroj që kjo festë të festohet në çdo sofër dhe që dashuria dhe paqja mes njerëzve të rritet, dhe të largohet urrejtja që përkon vetëm dëm në shoqërinë tonë”, ka thënë Llugaliu.

Në anën tjetër, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, nga Xhamia e Madhe në Prishtinë, pas namazit të Bajramit ka mbajtur një ligjëratë para besimtarëve myslimanë, ku ka apeluar te qytetarët të mos migrojnë.

“Sot po përcjellim muajin që besimtarin islam ka rëndësi të madhe, muaji që ngrit dashurinë. Festa e Fitër Bajramit është një arnë ku shkrihen dallimet dhe pozitat. Kjo ditë është ditë e unitet, prandaj duhet të shfaqet unitetin në familje dhe me njerëzit e shoqërisë tonë. Të gjithë jemi në dijeni për migrimin e vëllezërve dhe motrave tona jashtë Kosovës, është shqetësuese dhe po bëhet për shkak të gjendjes ekonomike. Të mos migrojmë por të punojmë për ditë më të mira për atdheun tonë”, është shprehur Tërnava.

Falja e Fitër Bajramit bëhet pas një muaj agjërimi, i cili në islam njihet si muaji i përkushtimit ndaj Zotit.

Fitër Bajrami është një ndër festat më të mëdha për myslimanët kudo në botë./Llapi.info