Besimtarët e besimit islam sot festojnë Kurban Bajramin, festën e dytë më të madhe myslimane pas Fitër Bajramit, njofton Llapi.info.

Kurban Bajrami është njëra nga dy festat më të mëdha islame. Për nder të kësaj feste theren kurbane, ndërsa besimtarët e kryejnë njërin nga pesë kushtet e fesë islame, Haxhin.

Ashtu sikurse në krejt botën, edhe në Podujevë besimtarët e fesë islame sot po shënojnë këtë festë. Manifestimi ka filluar në ora 05:00, me faljen e namazit të sabahut.

Imamët nëpër xhami të kësaj komune gjatë ligjëratave të tyre kërkuan që paqja, solidariteti dhe dashuria mes njerëzve të mbretërojë në gjithë vendin.

Xhamia e vjetër në Podujevë sot ka qenë e mbushur me të rinj e të moshuar, të cilët kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Bajramit.

Namazit të Kurban Bajramit i priu hoxhë Berat Avdiu, i cili në ligjëratën e tij uroi që kjo ditë të festohet dhe që të shtohet dashuria në mes njerëzve, duke e larguar urrejtjen dhe zilinë.

“Sot Kurban është edhe pajtimi mes vëllezërve, duhet të lihen inatet dhe urrejtja. Sot të gjithë duhet t’ia shtrijmë njëri-tjetrit dorën. Përveç therjes së kafshës në këtë festë, Kurban është largimi i zilisë, urrejtjes dhe inatit nga zemrat tona”, ka thënë ndër të tjerash Avdiu.

Ndërkaq, manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Reshat Mexhidi, tha se kjo festë bashkon të gjithë myslimanët nga e gjithë bota.

Ai ftoi që pasuria të shpërndahet me ata që kanë nevojë, pasi sipas tij, solidariteti dhe ndihma është urdhër kuranor dhe amanet i profetit Muhamed.

“Të gjithë ne duhet ta dimë se duke i dhënë të varfërve nuk pakëson pasurinë por Zoti do t’jua shtojë pasurinë. Në Meke të gjithë haxhilerët luten që Allahu të na fal e të na mëshirojë. Muhamedi a.s, e ngriti zërin nga Meka për zotin një dhe mosbesimin në shumë zotëra. Të gjithë duhet ta dimë se pasuria që kemi është sprovë në këtë botë, zoti nuk e do të pasurin që është koprrac. Solidertit dhe ndihma është urdhër Kuranor dhe është selam i Muahmedit. Allahu do t’ia shumëfishojë pasurinë atij që jep sadaka. Thërras të gjithë që në zemrat e tyre të shndrit besimi që të jemi edhe më tolerant më të mëshirshëm, të bashkuar. Në memur të BIK bëj lutje për të gjithë lus Allahun që të gjithë ata që e dhanë jetën për nder të atdheut. Të drejta e femrës, po vazhdojnë që të shkelen nëpër botë. Fakti që Muahamdi a.s e përmendi në haxh këtë të drejtë tregon për mirësinë që feja u garanton femrave. Islami u garanton të drejtë e femrës për të jetuar dinjitetshëm. Liria fetare dhe të drejta e femrës vazhdojnë të shkelen, veçmas e drejta për të jetë e dinjitetshme e lirë nga burri dhe shoqëria, ende vazhdon të jetë e privuar nga liria e hises. Kurban Bajrami duhet të na motivojë që të përmbushim këtë obligim”, ka thënë ai.

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën po e festojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo që vjen pas kryerjes së haxhit dhe shoqërohet me therjen e kurbanit./Llapi.info