I kanë mbetur vetëm edhe dy javë që Florim Asllani nga Podujeva së bashku me familjen të lirojnë shtëpinë ku aktualisht jetojnë, raporton Llapi.info
Sipas kryefamiljarit Florim Asllani, kjo shtëpi së bashku me tokën ka qenë e një serbit por që tani është shitur andaj duhet liruar.
Megjithatë, edhe në këtë shtëpi ku janë duke qëndruar përkohësisht me të hyrë brenda shtëpisë, skamja dhe varfëria janë të vetmet fjalë që përshkruajnë jetesën e tyre.
Muret plot lagështirë, çatia e rrënuar, dyer e dritare të thyera, janë vetëm disa nga kushtet me të cilat ballafaqohet çdo ditë, Florim Asllani me bashkëshorten dhe 6 fëmijët e tij.
Kryefamiljari Florim Asllani, tha për Llapi.info se edhe pse gjenden në kushte të vështira, tani edhe këtë shtëpi siç është duhet lëshuar.
“Unë quhem Florim Asllani prej Dvorishte, jena mbet në këtë shtëpi të shkaut e cila tash është shitur. Dje kemi pasur me lëshu shtëpinë, por na e kanë shty edhe dy javë. Populli na ka ndihmu e kena ble tokën në Letanc edhe që mundet dikush tash me ndërtu një shtëpi atu. Jemi 8 anëtarë, fëmijët nëpër shkolla. Që mundet dikush me na ndihmue, o sot o nesër tash na largon prej shtëpisë një qytetar nga Pollata. Jemi kanë në komunë, kanë thanë s’kemi program s’kemi buxhet. Para 8 vjetëve i kemi thanë me na dërgue në lagjen e ‘Kuvajtit’ s’na kanë dërguar. Deri tash sen s’ka reague komuna, veç populli që na ka ndihmue edhe shoqata humanitare. Tash jemi mbet vetëm kush mundet me na ndihmue sa më shpejtë për një kulm mbi kokë, se për ndryshe duhet me nejt në rrugë” tha Asllani.
Tutje Asllani me lot në sy, shtoi se në këtë shtëpi foshnja pesë javësh ka ndërruar jetë gjatë dimrit nga i ftohti.
“Besomni nuk isha dalë prej qefi, s’ka shoqatë që nuk u ardh na kanë ndihmue populli nuk na kanë lanë me hjek për ushqim. Në këto kushte dimrit, e kam pasur edhe një djalë qitu më ka vdekur prej ftohtit, i ka pasur pesë javë. Më nuk kam çfarë të flasë boll ke më tepër është. Po më vjen zor prej këtyre fëmijëve” u shpreh Florim Asllani.
Eloni 9 vjeçar, së bashku me fëmijët e tjerë, luteshin për një shtëpi duke shpresuar që këto fjalë do t’i preknin zemrat e atyre që e dinë se çfarë do të thotë dhimbje.
Edhe Florim Asllani është i dëshpëruar por jo edhe i dorëzuar. I kalon ditët me shpresën se dikush do të bëj diçka për ta./Llapi.info
Numri kontaktues i kësaj familjeje ku ju mund të paraqiteni për t’i ndihmuar është 045-503-204.