Familja e Hanife Dedajt nga fshati Merdar i Podujevës, përveç rrezikut nga shembja e shtëpisë së vjetër, po i ekspozohet edhe rrezikut nga gjarpërinjtë, pranë shtëpisë.

Ajo po pret ndihmën e atyre që kanë mundësi për ndërtimin e shtëpisë.

Hanife Dedaj bashkë me tre fëmijët e saj jetojnë me frikën se nga dita në ditë shtëpia ku ata jetojnë do të shembet.

“Ky muri këtu është rrëzua edhe tash shtylla luhatet shumë, me u rrëzua edhe kjo shtylle nuk e di çka me ba”, tha ajo.

Përveç këtij rreziku dhe kushteve të vështira të jetës, e zonja e shtëpisë nga fshati Merdar i Komunës së Podujevës, thotë se tani në stinën e pranverës ajo duhet t’i mbrojë fëmijët edhe nga gjarpërinjtë.

“Muret janë qa krejt, pikë në të gjitha anët krejt është prish, për çdo vit hyjnë edhe gjarpërinjtë, vitin e kaluar e kom gjet në mëngjes gjarprin te sudoperi, është dashtë zjarrëfiksit edhe policinë me i thirr, edhe fëmijët po frigohen shumë”, tha ajo.

Hanifja thotë se me vite të tëra ka kërkuar ndihmë në Komunën e Podujevës, për strehim më të sigurt, mirëpo asnjëherë nuk përfitoi asgjë.

Agron Hyseni, drejtor i Departamentit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Podujevës, thotë se që nga viti 2009 komuna ka ndërtuar 10 shtëpi brenda vitit për skamnorët, mirëpo për këtë vit ky projekt nuk mund të realizohet për shkak të shkurtimeve buxhetore. Shpresa e vetme, sipas tij, mbetet te bashkëpunimi me donatorët. (rtk)