Elena Berisha, që mbrëmë u konvertua nga katolike në myslimane, tashmë do t’i lutet Allahut për mëshirë. Ndërsa nëna e saj do të vazhdojë t’i lutet Krishtit që ta mbrojë vajzën e saj.

Megjithëse ato tashmë nuk do ta praktikojnë të njëjtën fe, ato të dyja e duan njëra-tjetrën, sepse e kanë vetëm njëra-tjetrën.

Elenës i vdiq babai që kur ajo ishte vetëm dy vjeçare. E meqenëse nuk ka motra dhe vëllezër, ajo thotë se nëna e saj është gjithçka për të.

19 vjeçarja nga Ferizaj ka rrëfyer historinë e saj të besimit, përfshirë momentin kur i ka treguar nënës së saj se do të konvertohej në myslimane.

“Unë kam qenë me besim katolike. Ka kohë, diku 1 vit që e kam mendu me u konvertu. Kam pasë deshirë, e kam pa gëzimin në fytyrat e myslimanëve. Nuk kam qenë shumë e dhënë pas fesë katolike. Kam pa që Allahu ta lumturon zemrën kur i lutesh, kur e falenderon. Nuk e kundërshtoj asnjë fe, por gjithmonë e kam lutë Allahun me më drejtu në rrugën e tij. Kështu më është shfaqë dëshira dhe bindja për me qenë muslimane dhe kam pasë deshirë që dje, pra natën e Ramazanit të kthehem në muslimane. Në ora 7 në mbrëmje jam kthy, d.m.th. para teravive”, tregon Elena, shkruan Insajderi.

Ajo ka treguar se nëna e saj ka qarë nga gëzimi kur i ka treguar se do të konvertohej në myslimane. “Moment i papërshkrueshëm. Kur i kam tregu, u ndje aq mirë sa që ka fillu edhe me qajtë, sepse ajo ka qenë e vetmja që më ka dëgju duke iu lutë Allahut çdo ditë për me u kthy në rrugën e tij”, thotë Elena.

“Nëna ime është e besimit katolik, por pavarësisht kësaj, unë e respektoj dhe e çmoj dhe e dua shumë. Ajo është familja ime, gjithçka për mua”.

Lajmin për konvertimin e Elenës e kishin pritur mirë edhe axhallarët e saj, të cilët e kanë uruar.

“Unë jetoj veç me nënën time. Babi më ka vdekë qysh në moshën 2 vjeçare. Motra apo vëllezër nuk kam. Po kam axhallarë. Lajmin që kam deshirë me u konvertu e kanë pritë shumë mirë; kanë qenë të pajtimit dhe kanë qenë shumë të gëzuar që Allahu ma ka mundësu me qenë në rrugën e tij. Ata gjithashtu janë ndje shumë mirë dhe më kanë perkrah, më kanë uru”, thotë ajo.

Shoqet dhe shokët e Elenës kanë qenë gjithmonë në shumicë myslimanë.

“Shoqëria ime ka qenë gjithmonë shumica me besim mysliman. Ata gjithëmonë më kanë bë me u ndje mirë”, tregon ajo.

19 vjeçarja thotë se ka respekt për çdo njeri, sepse, siç tha, para krijuesit jemi të gjithë të barabartë.

“Unë e respektoj çdo njeri, sepse para krijuesit jemi të barabartë. E respektoj sidomos familjen time që më përkrahin gjithmonë në çdo gjë”, ka thënë Elena.

Elena Berisha mbrëmë është konvertuar nga katolike në myslimane në Xhaminë e Madhe në Ferizaj.

Siç e ka zakon ceremonia islame në këto raste, Elena ka shqiptuar dëshminë (shehadetin), duke e mbajtur në duar librin e shenjtë të myslimanëve, Kur’anin.

Sot me datën 05.05.2019 në prag të muajit të bekuar të Ramazanit vajza me emrin Elena na i rriti emocionet e kësaj dite. Elena, një vajzë nga Ferizaj e besimit katolik sot kishte vendosur të konvertohej në besimin musliman. Vajza donte të isha edhe unë në prani të kësaj ceremonie dhe gjatë shqipitimit të dëshmisë u ndjeva i gëzuar tej mase. Lus Zotin Fuqiplot që këso raste të kemi çdo ditë në xhaminë tonë, poashtu për Elenën lusim Zotin që t'ia forcojë besimin, shëndetin dhe ta begatojë me çdo të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Publiée par Xhamia e Madhe-Ferizaj sur Dimanche 5 mai 2019