Jetojnë në një objekt me një dhomë dhe një korridor. Familja pesë-anëtarëshe nga fshati Llaushë e Komunës së Podujevës, aty bën një jetë të mjerueshme. Kryefamiljare është Nurije Sadiku, 35-vjeçare, që mezi ia del të shtrojë bukën për bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj.

Kjo familje nuk vuan vetëm për kafshatën e gojës, por edhe nga kushtet e rënda të banimit.

“Jemi pesë anëtarë. Burrin e kam me aftësi të kufizuar. Kam tre fëmijë – dy vajza dhe një djalë. Jetoj me një dhomë dhe një korridor, në kushte shumë të rënda”, ka thënë Nurija për Telegrafin, me zërin e dridhur të një nëne, transmeton llapi.info

Sipas saj, ata marrin asistencë sociale, ndërsa bashkëshorti një pension. Por, shprehet se këto para nuk u dalin as për terapi shëndetësore.

“Nuk dalin për ilaçe të burrit. Atij i është prishur nervi i kokës prej sinusëve. Prandaj, nganjëherë detyrohem fëmijëve t’ju jap ujë me sheqer, e ndonjëherë asgjë se s’kam”, shton ajo. “Nuk kemi as banjo. Një vrimë në korridor e kam hap që t’i laj fëmijët. Pusin për ujë e kam jashtë. Vet vuaj nga dhimbja e shpinës. Shiu hyn brenda nga oxhaku, e në dimër nuk kemi me çka të ngrohemi”, ka shtuar ajo.

Nurija, e cila në moshë të re bartë barrën e burrit e të gruas, nuk mohon se ndonjëherë në ndihmë u dalin njerëzit e vullnetit të mirë.

“Mësueset e fëmijëve më ndihmojnë me rrobat për fëmijët. Kush ka dëgjuar për gjendjen time, më kanë ndihmuar. Kam kërkuar ndihmë edhe nga Komuna e Podujevës, por nuk kanë ardhur të na shohin se si jetojmë”, ka thënë Nurija për Telegrafin, transmeton llapi.info.

foto

1

2

3