Nata e 5 marsit do të mbes gjithmonë në mendjen e familjes Zeneli nga fshati Obranqë i Podujevës. Kjo natë ishte fatkeqe për Afrim Zenelin i cili disa minuta pas aksidentit ndërroi jetë, kurse tre fëmijët e tij që ishin në veturë me të, pësuan lëndime trupore.
E familjarët e të ndjerit kanë treguar për Indeksonline momentin e dhimbshëm kur morën vesh për aksidentin. I vëllai i Afrimit, Milazimi ka akuzuar ambulancën dhe policinë për vonesë në ofrimin e shërbimeve, që sipas tij, nëse do të arrinin me kohë në vendin e ngjarjes, Afrimi ndoshta do të ishte gjallë.
“Vëllau ishte me veturën “Golf 2” me fëmijë duke u kthyer në shtëpi, kur unë me nënën dhe familjarë tjerë po shkonim për vizitë te djali i dajës që është i sëmurë nga kanceri. Ishim të shkolla e Peranit dhe papritur mora telefonatën e hidhur që Afrimi ka bërë aksident dhe u nisa për te vendi i aksidentit. Mbërritëm aty para ambulancës e policisë”, tregon duke qarë Milazimi.
Ai tha se për dallim nga shërbimi emergjent në Podujevë, mjekët në Prishtinë ishin tejet të përkushtuar dhe u munduan shumë për të ndjerin.
“Ambulanta është vonuar 40 minuta për me ardhë deri në vend të ngjarjes, e ka mundur të arrij shumë më shpejt, plus kur erdhi aty, ishte një djalë shumë i ri, me siguri praktikant që i ofroi shërbim, e nga nervoza edhe e godita. E polici që ishte aty e telefonoi komandantin e policisë dhe i tha se nuk ka të lënduar në aksident, derisa aty ishin katër persona të lënduar, më nervozuan shumë pasi që Afrimi ishte shumë keq nuk mund të lëvizte. Ishte një kalimtar aty që e kishte vendos kokën e Afrimit në prehrin e tij dhe ne nuk guxuam ta lëvizim derisa erdhi ambulanca”, thotë mes tjerash Milazimi.
Ai tha se pasi e hipën të vëllanë e tij në veturën e ambulancës dhe u nisën për në Prishtinë, vajzën e tij që u lëndua në aksident, e ëma e saj e kishte dërguar në spitalin e Podujevës.
“Ne hipëm në veturë dhe u nisëm për Prishtinë, rrugës takuam zjarrfikësit duke shkuar te vendi i aksidentit. Afrimi ishte keq dhe nuk e pranonte as ndihmën, nuk donte të marr as oksigjen, nga aksidenti iu thyen katër brinjë (i gjashti, shtati, teti dhe nënti), kishte gjakderdhje të brendshme, i kanë pëlcit venat, pasi nuk kishte shenja vetëm vërehej gjaku ku kanë pëlcit nga motori që ia kishte zënë këmbët, derisa po mundohej që t’i mbronte fëmijët e tij që mos të lëndohen. Afrimi derisa po shkonim në Prishtinë vetëm më tha ‘rrotullom se mu këput trupi’. Unë ia lava fytyrën dhe qafën me ujë, e 200 metra pasi kaluam Sibovcin ai ndërroi jetë. Megjithatë e dërguam në Prishtinë, aty mjekët tentuan me çdo gjasë që të intervenojnë por ishte e kot”, ka thënë tutje Milazimi.
Ai tha se Komuna nuk ka bërë asgjë për familjen e tij, madje edhe ia ka zvogëluar të ardhurat e vëllait tashmë të ndjer, i cili jetonte në një shtëpi që gati sa nuk është rrëzuar. Ai tha se Afrimi merrte ndihma sociale vetëm 119 euro në muaj e që mezi i mjaftonin për të jetuar.
“Vëllai i ka lënë katër fëmijë, vajza e madhe i ka 13 vjet e djali i vogël vetëm 2 vjet. Në aksident dy nga fëmijët kanë marr lëndime të lehta, derisa djali i madh ka të thyer këmbën. Mirëpo, prapë e mira e kësaj është që kemi mundur t’i marrim katër xhenaze por e kemi marr vetëm një. Apeloj tek të gjithë që kanë mundësi të paktën të na ndihmojnë që t’ia ndërtojmë një shtëpi gruas së vëllait me fëmijë dhe nënës që jeton me ta”, ka përfunduar Milazimi.
E nëna e të ndjerit që është e shtyrë në moshë tregoi duke qarë momentin kur mori vesh për ngjarjen e rëndë.
“Ne shkuam te vetura dhe e pash Afrimin e shtrirë e i rash për fytyre. Me dhimten që e pat më tha ‘oj nanë a je këtu’. Para 10 muajsh më ka dek djali i madh dhe i ka lanë 7 jetimë e ende pa u bërë 1 vit, vdiq edhe Afrimi e i la 4 jetimë”, tha ajo.
Indeksonline ka kontaktuar me mjekët e qendrës kryesore të mjekësisë familjare në Podujevë, të cilët na sugjeruan të flasim me drejtorin e emergjencës, Zaim Thaçi. Ai tha se emergjenca me të marr informatën për aksident në komunikacion, ka intervenuar me shpejtësi dhe se Afrim Zeneli në gjendje të rëndë shëndetësore është transportuar nga vendi i ngjarjes deri në emergjencën e Podujevës, për t’a nisur pastaj në QKUK në Prishtinë. Sipas tij, i aksidentuari, tashmë i ndjeri është dërguar në Prishtinë me shenja jete.
E mjeku në emergjencë të Podujevës që është marr me rastin, Istref Plakolli ka treguar për Indeksonline rrjedhën e kësaj ngjarje tragjike, qysh nga momenti kur kanë marr informatën për aksident.
“Neve na ka ardhur thirrja nga policia e ato akuza janë krejt manipulime të njerëzve që këqyrin me përfitu. Ata (familjarët) nëse nuk janë të kënaqur me shërbimet tona mund ta dërgojnë lëndën në Prokurori dhe ajo e vërteton se a jemi vonuar ne apo jo. Unë deklaroj se saktësisht prej momentit kur ne e kemi marr thirrjen dhe jemi nisur të shkojmë ta marrim, vonesa jonë ka mundur të jetë më së shumti 12 minuta, mirëpo duhet ditur se ne nuk jemi emergjencë, por kujdestari dhe nuk kemi infrastrukturë që të veprojmë konform atyre normave që kërkohen”, tha Plakolli.
Sipas tij, emergjenca është vija e tretë e intervenimit në aksidente, pasi që pari e shikon policia, pastaj zjarrfikësit që duhet ta tërheqin trupin prej veture, e cila edhe mund të përfshihet nga zjarri, e krejt në fund shërbimi emergjent.
“Ekipa jem e ka nxjerr njeriun nga vetura e ka vendos në autoambulancë e ka sjell në Podujevë në qendrën emergjente, ka ardh pastaj vajza e tij dhe në fund personi tjetër i përfshirë në ndeshje. Unë jam marr me tri rastet. Rasti i të ndjerit është transferuar në Prishtinë dhe në QKUK është bërë reaminimi, sepse ka pasur gjakderdhje të brendshme dhe pas 20-30 minuta ka vdekur. I ndjeri ka pasur rupturë të aortës, e që është e pamundur që të shpëtohet një rast i tillë. Nuk mund ta marrim përgjegjësinë e ndeshjeve në komunikacion për ata që vozisin 140 km/h, ne intervenojmë vetëm pse kemi vullnet e s’kemi sistem patronazhi. Familja po i jep ato informata që ta nxis opinionin që t’ua ndërtoj shtëpinë sepse ne kemi qenë një orë pas aksidentit në shtëpinë e tij, kemi dhënë gjilpëra, e kemi ofruar shërbime. Ka ndodh na kanë sulmu në shtëpi, na kanë rrahur. Çdo mjek ka lëndë në prokurori që i lajmërojnë njerëzit e papërgjegjshëm. Pak nëse ka njerëz që janë të afërt me pushtetin, i mbron ata”, tha tutje mjeku i emergjencës, duke shtuar se është i gatshëm që këto deklarata t’i jap kudo dhe kurdo.
Plakolli theksoi se vëllai i viktimës deri në Prishtinë ka sharë, fyer e sulmuar teknikët në autoambulancë. Mirëpo, sipas mjekut, i ndjeri është dërgu në QKUK i gjallë.
“Ai le ta dërgoj lëndën në prokurori, e ajo pastaj t’i shikoj thirrjet të konstatohet se a ka pasur vonesa dhe nëse del si ka thënë ai, ne përgjigjemi para ligjit. Ai pse i ka goditur mjekët duhet të shkoj në burg por nuk ka shtet këtu. Këtu ka anarki, ata mundohen ta gjuajnë topin diku tjetër, këto janë intuata për të përfituar materialisht. Kur na vjen thirrja, ne për 60 sekonda nisemi, por vetëm nëse na thërret policia, sepse nëse thërrasin qytetarët mund të jepet urdhër për mos të shkuar. E a janë praktikanta apo s’janë ai nuk mund ta di këtë, ne punojmë me staf profesional”, ka përfunduar Plakolli. /Indeksonline/