Ndonëse kanë kaluar 20 vjet, Avdi Maqastena, kujtimin për babanë e ka ende të freskët.
Maqastena e humbi babanë në masakrën e vitit 1999, në Podujevë, raporton KTV.
Dhimbja për humbjen e tij thotë se iu shtua kur dëgjoi lajmin për lirimin parakohshëm të Miodrag Shollajas.
Ai shton se dënimi për të ishte i padrejtë, e lirimi i kriminelëve serbë po i vret për së dyti familjet kosovare.
Për shoqatat e viktimave dhe të zhdukurve në luftë, lirimi i parakohshëm i dy serbëve nuk është befasi. Ata kërkojnë reagim nga shteti kosovar dhe ndërkombëtarët.
Miodrag Shollaja, ish-pjesëtar i njësisë “Shkorpionët”, ishte dënuar nga gjykata serbe me 15 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1999 në Podujevë.
Nga po e njëjta gjykatë, pa kryer dënimin e plotë u lirua edhe Sasha Cvjetan, që në këtë qytet masakroi 14 civilë, në mesin e tyre edhe fëmijë.
Ndaj lirimit të tyre ka reaguar edhe familja Bogujevci, e cila u ka bërë thirrje institucioneve kosovare që t’i trajtojnë me seriozitet viktimat e luftës dhe të kërkojnë drejtësi për to.
Një reagim e ka bërë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vetëm në Facebook, duke e ka quajtur akt të turpshëm lirimin e parakohshëm të këtyre dy serbëve të dënuar për krime lufte.