Familjarët e Bersant Rahimajt thonë se i riu nga Kamenica nuk kishte asnjë sëmundje.

Pas 10 ditësh luftë me Covid 19, Bersant Rahimaj nuk i mbijetoi kësaj sëmundje.

Trupi i pajetë i 27 vjeçarit nga Kopernica e Kamenciës u soll nën mbikëqyrjen e policisë në varrezat e fshatit, një ditë pasi vdiq në Klinikën e Mjekësisë Sportive si pasojë e koronavirusit.

I riu që ushtronte profesionin e arkitektit u varros nën dhimbjen e madhe të familjarëve.

Në ceremoninë e varrimit që ishte caktuar në kohë të faljes së drekës, të pranishmit u udhëzuan të mbajnë distancën.

Pasi iu dha lamtumira Bersantit, vëllai i tij Burim Rahimaj tha se ai nuk kishe asnjë sëmundje tjetër.

Sa i përket trajtimit, ai pohon se janë të kënaqur me punën e profesionistëve shëndetësor në Mjekësinë Sportive, ku Bersani ka qëndruar në intubim për 8 ditë.

Por ai shpreh pakënaqësi në lidhje me testimin e vëllait të tij të ndjerë.

Bersanti Rahimaj para se të trajtohej në QKUK ishte mjekuar edhe në Gjilan, ku përnjëherë i ishte vështirësuar gjendja duke rënë në komë.

I pari i Kamenicës, Qendron Kastrati pohon se Bersanti ishte më i riu në mesin e të infektuarve me Covid 19 në Kamenicë.

Pas varrimit, për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit korona, familja dhe përfaqësuesit fetar pohuan se nuk do të hapen dyert për ngushëllime.