Po bëhen katër ditë që familja tetë anëtarësh Berisha nga fshati Qyshk, komuna e Pejës është duke jetuar në ambient të hapur pasi shtëpia e tyre është djegur.

Lis Berisha, në një intervistë dhënë në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini tregoi hallin që i ka rënë mbi kokë familjes së tij.

Ai tha se kanë nevojë për ndihmën e qytetarëve të Kosovës për të pasur një strehë mbi kokë, pasi kanë edhe fëmijë të vegjël të cilët kanë nevojë për gjërat e tyre elementare.

Sipas tij, djegia e shtëpisë ka ndodhur nga energjia elektrike ku tha se edhe zyrtarët e KEK-ut e kanë konstatuar të njëjtën gjë.

“Sot është dita e katërt që më është djegur shtëpia dhe askush s’ka ardhur të më jap përkrahje apo të më ndihmoj për strehim. E kisha lutur gjithë popullin e Kosovës të më ndihmoj se jam i vetmi rom që jetoj në këtë fshatë prej pas lufte. S’kam pasur problem deri sot, andaj ju kisha lutur të gjithë popullin kosovar të më ndihmoj se jam shumë keq. Mbrëmë ka rënë shi dhe kemi qëndruar shumë keq. Jemi pa u pastruar, jemi shumë dobët. S’kemi nga të shkojmë. Me pas dikë të afërt kishim shkuar tek ata, po s’kemi asnjë në Kosovë. S’kemi asnjë ndihmë tjetër pos të qëndrojmë aty. Kemi problem për veshmbathje, për pastrim. Djali i vëllait është pesë javësh, i vogël. Një djep e kemi marrë në komshi….Në Kryq të Kuq, na kanë dhënë makarona dhe vezë asgjë tjetër. KEK-u, ka qenë dje e ka gjet një lidhje dhe tha që është lidhje e shkurt. Po presim një përgjigje nga ta, por ende nuk kemi ndonjë asgjë. Kërkoj vetëm një shtëpi një dhomshe apo dy, vetëm që ta kem për strehim. Nuk dua asgjë tjetër, vetëm strehim. Për shkak të gjithë familjarëve”, tregoi kryefamiljari Berisha.