Familjet historike llapjane, Munolli dhe Latifi, kanë reaguar pas iniciativës për ndërtimin e një kishe në fshatin Pollatë.

Iniciatorët e ndërtimit të kësaj kishe e kanë përmendur emrin e heronjve Besim Latifi dhe Skender Munolli.

Në reagimin e familjarëve të dy heronjve thonë se janë duke u keqpërdorur emrat e Besim Latifit dhe Skender Munollit.

Ata bëjnë thirrje që mos të ndodhë një gjë e tillë dhe se këto dy familje nuk qëndrojnë mbrapa iniciativave për ndërrimin e fesë.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje;

REAGIM PUBLIK!

Ne Familja Monolli dhe Latifi,ndjejmë detyrimin të reagojmë ndaj keqpërdorimit të emrit tonë nga iniciativa apo organizata që synojnë rikthimin në fenë e krishterë, duke përfshirë pavërtetësisht lidhjen tonë me qëllimet e tyre. Theksojmë se Familja Monolli dhe Latifi, brez pas brezi, kanë luftuar për kombin, atdheun dhe lirinë. Besimi dhe qëndrimet tona kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa lufta jonë ka qenë gjithmonë për komb dhe drejtësi, jo për baza fetare. Heroizmi i familjes sonë, që nga Osman Pollata, Besim Latifi dhe Skender Monolli, deri tek Lufta e fundit ne Kosovë, ka mbrojtur idealet kombëtare dhe tokat shqiptare.Distancohemi qartë dhe pa ekuivok nga çdo përpjekje për keqpërdorimin e emrit tonë për agjenda që nuk përfaqësojnë vlerat dhe historinë tonë. Ne jemi krenarë për trashëgiminë tonë kombëtare dhe do të vazhdojmë të punojmë për të mirën e atdheut dhe kombit, pa përçarje fetare apo interesa të ngushta.

Me respekt, Familja Monolli dhe Latifi