Mëngjesi i së dielës do të mund të ishte ditë e kobshme për familjen Zymeri nga fshati Llaushë, shkruan Llapi.info.
Vajza e vogël e kësaj familje kishte pësuar një çrregullim të madh në organet e frymarrjes, derisa familjarët nën panikë thërrasin ekipin e emergjencës në Podujevë.
”Për 6 minuta kanë mbërri”, thotë familjari për ekipin e emergjencës, të cilët për kaq kohë të shkurtër kishin arritur të shkonin nga qendra e qytetit në fshatin Llaushë.
”E kanë trajtu shpejt e shpejt edhe e kanë dërgu në emergjencë në Podujevë dhe pas tretmanit aty, e kemi nisur për në QKUK”, vazhdoi rrëfimin ky familjar për Llapi.info.
Ai i ka falenderuar ekipin, duke thënë se “mos të ishin ata, vështirë se vajza do të shpëtonte”.
”Na thanë në QKUK, veç Zoti edhe reagimi i shpejtë kanë arritë ta shpëtojnë sepse gjendja paska qenë shumë kritike”.
Ky familjar tregon se tashmë gjendja e fëmijës është shumë stabile, teksa shton se “mjekët nuk duhet t’i shajmë por t’i lavdojmë për punën që po e bëjnë”.
Lidhur me këtë rast, një familjar tjetër i kësaj familje i falenderon publikisht stafin e Emergjencës në Podujevë.
“Ju lumtë, shpëtuat një fëmijë”, thotë ndër të tjera Shemsi Zymeri.