Ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe bashkëshortja e tij që kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së janë shëruar nga COVID-19.

Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook ku ka falëndëruar mjekët dhe gjithë personelin tjetër shëndetësor që janë kujdesur për shërimin e tyre.

“Javën që shkoi, nga e Mërkura e deri sot, meqë ishim infektuar me Covid 19, unë dhe bashkëshortja ime u detyruam të shtrihemi për shërim në Klinikën Infektive të QKUK. Me këtë rast dëshirojmë të falenderojmë ekipet e mjekëve dhe gjithë personelin tjetër shëndetësor të cilët nën udhëheqjen e Prof. Dr. Sali Ahmetit, në repartin e të cilit ishim, u angazhuan me gjithë mundësitë e tyre prej ekspertësh të fushës për të ndihmuar shërimin tonë. Dhe ia kanë dalë”.

Sejdiu ka falëndëruar edhe të gjithë ata që janë shqetësuar për shëndetin e tij.

“Një ndihmë të pazëvendësueshme na e keni dhënë edhe ju nëpërmjet inkurajimit të përditshëm me telefon, SMS dhe me mënyra të tjera të komunikimit. Zoti ju bekoftë!”.