Fenerbahçe ka shprehur ngushëllime për vdekjen e legjendë së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri që si lojtar luajti për dy sezone për klubin e njohur turk.
Në një njoftim në faqen zyrtare Fenerbahçe ka shkruar se janë të pikëlluar me vdekjen e Vokrrit dhe i ka shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve të tij.
“Jemi të pikëlluar për lajmin e vdekjes së futbollistit tonë të sezoneve 1990-92”, thuhet në njoftim.
“I shprehim ngushëllime familjes dhe të afërmve të Fadil Vokrrit. U shprehim ngushëllime fansave të Vokrrit, sidomos popullit të Kosovës”.
“Ishte kënaqësi të të kemi lojtar në familjen tonë. Pusho në paqe”, shkruan Fenerbahce.
Fadil Vokrri, emri që tregon më së miri për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, ka vdekur para kohe, sot në moshën 57- vjeçare.
Injorimi i disa shtrëngimeve në gjoks, gjatë dy ditëve të fundit, ishte fatal për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Përkundër dhimbjeve, Vokrri të shtunën vazhdoi stërvitjet e tij në një palestër fitnesi në Prishtinë. Por, shpirtin e tij sportiv e ndali një sulm kardiak, sikurse që e ndali së jetuari më gjatë, në moshën 57- vjeçare – pak javë para ditëlindjes së tij të pesëdhjetëetetë
Vokrri në Emergjencën e QKUK’së u dërgua pa shenja jete. Zemra e tij kishte pushuar se rrahuri në palestër. Edhe mjeket që konstatuan vdekjen e tij, të shtunën rreth mesditës, e kishin të vështirë të jepnin lajmin se Fadil Vokrri nuk do të jetojë më.
“Një lajm i hidhur për zotëri Fadil Vokrrin. Pacienti në fjalë ka ardhur pa asnjë shenje jete. Ne vetëm kemi konfirmuar vdekjen”, tha Avdush Bajgora, shef i ekipit emergjent që e pranoi në spital legjendën kosovare të futbollit.
“Ne nuk mund të konstatojmë si ka ardhur vdekja. Një gjë të tillë mund ta konstatojë vetëm mjekësia ligjore”, shtoi ai, pak minuta pasia automjeti bartës i Mjekësisë Ligjore e mori trupin e pajetë të ish-futbollistit të Partizanit të Beogradit, nga QKUK’ja për obduksion.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në ora 17:00 në Prishtinë.