Ferizaj ka arritur të fitojë në udhëtim te Llapi me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

“Ujqit” kanë marrë vetëm fitoren e dytë këtë sezon, por kjo fitore i jep vetëbesim për vazhdimin e kampionatit.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë, pa shumë raste, por me vetëm mysafirët që gjeten rrjetën.

Goli i vetëm në këtë pjesë u shënua në minutën e 28-të me anë të Dardan Qerkinit, i cili kaloi Ferizajn në epërsi 0-1.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat arritën ta shënojnë nga një gol.

Të parët ishin përsëri Ferizaj që shënuan me anë të Betim Haxhimusaj (49’) për 0-2, ndërsa Bianor Neto (74’) ngushtoi shifrat për rezultatin përfundimtar 1-2.

Reklama
Pas kësaj fitore, Ferizaj vazhdon të mbetet në vendin e fundit me 12 pikë, ndërsa Llapi i gjashti me 15 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Llapi udhëton te Ballkani, ndërsa Ferizaj e pret Trepçën ’89.