E kanë bërë hapin e kthimit. Të kundërt me të gjithë të tjerët që vazhdimisht i braktisin fshatrat për t’ia mësyrë qyteteve të Kosovës.
Ata ia kanë kthyer gjallërinë fshatit të tyre, kur gjithçka e kishte mbytur qetësia. Kur nuk kishte mbetur askush për t’ia “hapur derën”. Kur nuk dëgjohej zë njeriu!
Ish-banorë të fshatit Reçicë, që gjendet në veriperëndim të Podujevës, rreth 30 kilometra larg qytetit, e kanë gjetur mënyrën për të mbetur afër vendit ku janë lindur. Kanë investuar aty ku e kanë kaluar një pjesë të rinisë së tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Aty ku i kishin mësuar hapat e parë. I janë kthyer blegtorisë, siç merreshin dikur kur bëhej jetë këtu. Kanë investuar dhjetëra e mijëra euro në vendin që kishte mbetur pa jetë!
Sevdaim Fejzullahun çdo ditë e gjen në një luginë të fshatit, ku ka disa vjet që e ka ndërtuar fermën e lopëve. Në një pasdite të nxehtë gushti, ai bashkë me dy vëllezërit e tij po i shkarkonin duajt e sanës nga rimorkio e veturës Golf II të “shndërruar” në “makinë malore”. Ishte koha e ushqimit për kafshët që nuk i kishin lëshuar në kullotë. Ai i ka “kapërcyer” të gjitha vështirësitë, që dikur ishin bërë sebep që të braktisej ky fshat.
“Në periudhën e pasluftës jemi zhvendosur nga ky fshat. Diku në vitin 2004. Edhe kemi shkua me jetua në qytetin e Podujevës. 18 vjet i kam pasë. Një prej arsyeve kryesore (e braktisjes v.j.) ka qenë mungesa e infrastrukturës. Mundësitë për të lëvizur kanë qenë të vështira, se rrugët kanë qenë shumë të dëmtuara. Edhe pse tash jemi në 2019, gjendja nuk është e mirë”, thotë Sevdaim Fejzullahu, tashmë i ulur nën hijen e një lisi.
Kapërcimi i vështirësive
Asfalti në këtë fshat përfundon para kullës së Demë Ahmetit, që gjendet në fillim të fshatit, posa ta kapërcesh Sllatinën që mbetet në juglindje. Pjesën tjetër të rrugës përpjetë kodrave duhet bërë në këmbë, nëse nuk posedon makinë malore ose edhe traktorë….(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)