Ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi ka reaguar në profilin e tij në Facebook, pas publikimit në media dosjeve të UNMIK-ut për vrasjet e pasluftës.

Rudi i cili edhe vet ishte viktimë e një antenat në viti 2000, ku u plagos dhe mbeti i paralizuar, ka shkruar në Facebook, se informacionet e publikuara nuk janë një risi për të, por janë vetëm konfirmim i asaj që e ka thënë tash e 20 vjet.

“Është mëkat që tash e 20 vite, drejtësia ndërkombëtare dhe ajo vendore, i dinë me detaje organizatorët e vrasësit të cilët bënë vrasjet politike në Kosovë dhe nuk ndërmorën asnjë hap për zbardhjen e tyre”, ka shkruar Rudi në Facebook.

Postimi i plotë i Fetah Rudit:

Siç edhe keni lexuar tanimë, në media të ndryshme është publikuar një dosje e UNMIK-ut, e në të cilën jepen detaje për vrasjen e Ekrem Rexhës –Drinit, Xhemail Mustafës dhe atentatin ndaj meje.

Në bazë të kësaj, organizatori dhe autorët, si dhe armët e përdorura në të tri këto raste janë të njëjtë.

Këto detaje nuk janë një risi për mua, këto janë vetëm konfirmim i asaj që e kam thënë tash e 20 vite. Unë atëherë, tash e gjithmonë do ta them vetëm të vërtetën.

Është mëkat që tash e 20 vite, drejtësia ndërkombëtare dhe ajo vendore, i dinë me detaje organizatorët e vrasësit të cilën bënë vrasjet politike në Kosovë, dhe nuk ndërmorën asnjë hap për zbardhjen e tyre.

Edhe pse organet vendore i kanë ditë gjitha këto, ato jo që morën diçka për t’i zbuluar e arrestuar, por ata i veshin me petkun e institucioneve.

Unë çdo herë kam qenë i gatshëm për bashkëpunim me drejtësinë, si atë ndërkombëtare edhe atë vendore, në mënyrë që atentati ndaj meje, dhe vrasjet tjera politike të zbulohen dhe autorët të marrin dënimin e merituar.

Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar. Shteti i Kosovës ka dështuar.

Tash shpresa e vetme për zbardhjen e vrasjeve politike është Gjykata Speciale, e cila shpresoj dhe besoj që do ta bëjë një gjë të tillë.

Edhe njëherë, kjo dosje është konfirmim i asaj që kam thëne tash e 20 vite, organizatorët dhe vrasësit dihen me emër dhe mbiemër.