Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Podujevë, gjatë ditës së djeshme ka mbajtur Kuvendin e brendshëm Zgjedhor në këtë Komunë, raporton Llapi.info

Në garë për të parin e kësaj partie ishin Fahri Osmani dhe Naim Fetahu, e që ky i fundit u zgjodh kryetar për këtë mandat, duke mposhtur Osmanin me vetëm dy vota më shumë, gjegjësisht 117-115.

Osmani u përkrah nga të rinjtë e PDK-së në këtë degë, ndërsa Fetahu nga strukturat e vjetra dhe arriti të zgjidhet kryetar në “Dekadën e Re”. PDK tha se zgjedhjet ishin “fer dhe demokratike”.

E, me zgjedhjen e Fetahut u përfol për përçarje brenda kësaj partie, teksa Llapi.info ka kontaktuar edhe me zyrtarë të kësaj partie, duke mos u përgjigjur për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, kanë thënë se do të dalin me deklaratë zyrtare, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Llapi.info mësoi se pikërisht asamblistët kanë dalë haptas kundër zgjedhjes së Fetahut, por ata nuk u deklaruan.

Megjithatë, heshtjen e tyre e theu kandidati Fahri Osmani, i cili përmes një postimi në Facebook i ka quajtur të pavërteta lajmet se do të dorëhiqen asamblistët e kësaj partie, ani pse këto pretendime dolën pikërisht nga ai grup këshilltarësh në Kuvendin Komunal.

Ndërsa, tani i sapo emëruari kryetar i kësaj partie, Naim Fetahu, duke folur për zgjedhjen e tij si kryetar, ka falënderuar kundërkandidatin e tij, Fahri Osmanin.

“I falënderoj të gjithë mysafirët që ishin të pranishëm dhe në veçanti falënderoj të gjithë delegatët të cilët ma kanë dhënë besimin. Një falënderim i veçantë i takon kundër kandidatit tim z.Fahri Osmani, i cili gjatë gjithë kësaj gare ka qenë konstruktiv dhe ka shprehur një frymë demokratike duke e pasuruar tërë procesin zgjedhor dhe garues në Llap”, ka thënë fillimisht Fetahu në një postim në Facebook.

“Kuvendi i degës ishte një konfirmim se PDK është parti me potencial dhe energji e cila si bartëse e proceseve të mëdha ka ditur dhe do te dijë të ndërtoj konsensus kur është në pyetje interesi partiak dhe në veçanti interesi publik”, është shprehur ai.

Tutje Fetahu ka deklaruar se do të jetë kryetar i të gjithë llapjanëve duke bashkëpunuar, duke shtuar siç ka shkruar ai, të kthehet qeverisja e PDK-së në Podujevë.

“Si kryetar dhe si ekip garantoj se do të bëjë krejt çka është e mundur që të kthejmë Partinë Demokratike aty ku e ka vendin. Gjithashtu, garantoj se do jem kryetarë i të gjithëve dhe do të jem bashkpunues me të gjithë në mënyrë që të ofrojmë më të mirën për qytetarët e Llapit duke kthyer qeverisjen në qytetin e Podujevës”, ka përfunduar Fetahu./Llapi.info

Image may contain: 7 people, people smiling, people sitting and indoor