Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu ka thënë se Komuna e Podujevës është keqqeverisur për 20 vjet, njofton Llapi.info.

“Për njëzet vite rresht komuna e Podujevës ka mbetur më e pazhvilluara në vend. Duhet ta ndryshojmë këtë model të keq dhe t’u ofrojmë qytetarëve argumente dhe programe”, është shprehur Fetahu.

Fetahu në debatin me kundërkandidatët ka thënë se shkalla e papunësisë në Komunën e Podujevës është e lartë, pasi që sipas tij, bizneset janë zhvendosur në qytete tjera si në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Lipjan, gjë që siç ka thënë Fetahu, ka ndikuar në largimin e të rinjve nga qyteti.

Fetahu tha se në qeverisjen e tij sistemi arsimor dhe administrata do të depolitizohen dhe përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të parimit të meritokracisë.

“Sistemi arsimor duhet të depolitizohet. Njëzet drejtorë janë ushtrues detyre, gjë që i tejkalon limitet. Vazhdimisht ka padrejtësi në punësim dhe avancim. Ka aktakuza të ngritura në prokurori ndaj drejtorëve dhe zyrtarëve të lartë. Të gjitha këto duhet të bien. Administrata nuk ka nevojë të ngurrojë”, tha Fetahu./Llapi.info