Në klubin e futbollit Llapi janë të pakënaqur me ndihmën që do të marrin nga Federata e Futbollit të Kosovës gjatë krizës së pandemisë.
FFK-ja të premten ka bërë publike pakon emergjente për komunitetin e futbollit, por klubi llapjan është shprehur i shqetëuar me drejtuesit e FFK-së në lidhje me pakon.
Pakoja parasheh që nga 35 persona të klubeve të Superligës të marrin nga 350 euro.
Llapi ka reaguar përmes një komunikate, ndërsa ka thënë se 350 euro për person nuk mjaftojnë as për qira.
Madje Llapi ka bërë kërkesë që edhe klubet tjera të reagojnë.
“Kërkojmë nga të gjitha klubet të jemi njëzëri e të reagojmë sepse kjo shumë e të hollave është e papranueshme për klubet e Superligës, duke e ditur se tash e tri vjet nuk na shpërndahen mjetet e solidaritetit të UEFA-s për klube të Superligës dhe të Ligës së Parë, shuma e të cilave është 2 milionë e 400 mijë euro. Ndërsa kjo shumë e ndarë është sa për sy e faqe, apo më mirë të themi për të na hedhur hi syve. Ky është turpi i radhës i atyre që menaxhojnë në FFK, që tregon më së miri se sa mendojnë ata për të mirën e futbollit”, thuhet në komunikatën e Llapit.
Llapi ka vlerësuar se klubet e Superligës po dëmtohen dhe neglizhohen nga ata që udhëheqin futbollin në vend.
“Nuk po dëshirojmë ndihma nga FFK-ja por vetëm mjetet që na takojnë, kurse mjetet e qeverisë të ndahen për klubet e Ligës së Parë, Ligës së Dytë dhe ligave tjera. Kurse mjetet në vlerë prej 2 milionë e 400 mijë euro duhet t’iu ndahen klubeve të Superligës, jo ndihma të tjera”.