Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Podujevë, Fidan Rekaliu, në mbledhjen e sotme që është diskutuar për Propozimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik ka thënë se kjo strategji ndikon në zhvillimin ekonomik të komunës, raporton Llapi.info.

Me këtë rast, ai ka thënë se një strategji e tillë përkrahet nga grupi parlamentar i LDK-së.

“Ne grupi i këshiltarëve të LDK-së e përkrahim këtë Draft Strategji për Zhvillimin Ekonomik. Mendojmë se është një strategji e cila ndikon në zhvillimin ekonomik të komunës së Podujevës. Ne e përkrahin këtë strategji dhe çdo strategji tjetër që ndikon në zhvillimin ekonomik të komunës”, ka thënë Rekaliu.

Në mbështetje të kësaj strategjie ka qenë edhe Grupi i këshilltarëve të G+, dhe Hasan Softolli, këshilltar i LDK-së i cili ka thënë se kjo strategji është e hartuar në mënyrë profesionale.

“Në esencë është strategji e hartuar në mënyrë profesionale dhe jo ad’hoc. Ka plane të cilat janë në funksion të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Softolli.

Ndërsa, këshilltari tjetër i LDK-së, Mirsad Kamerolli, ka thënë se nuk është mirë që këtë strategji me pa veq zi.

“Nuk është mirë që këtë strategji me pa veq zi, por duhet me dhanë vlerësime pozitive. Nuk është mirë me na torturue me platforma që i’u shërbejnë partive tuaja”, ka thënë Kamerolli.

Por, në kundërshtim të kësaj draft strategjie kanë qenë këshilltarët opozitar.

Derisa, këshilltarja e LVV-së, Adelina Stublla ka thënë se dokumenti është bërë vetëm që të i ketë 40 faqe, pasi nuk ka strategji për hapjen e airoportit në Dumosh, për hapjen e qerdheve dhe projekte tjera, Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, tha se dokumenti nuk ka strategji të reja nga strategjia e kaluar.

“Në 70% të dokumentit kemi të shkruar vetëm ku shtrihet Llapi, cilat kafshë jetojnë, cilat kanë qenë bizneset. Mirëpo, nuk kemi ndonjë projekt që do të bëhet në vitin 2016-2018. Dokumenti vetëm është përshkruar, nuk ka strategji të reja nga Draft Strategjia e vitit 2014-2016”, ka thënë Llapashtica, duke thënë se biznismenët më të fuqishëm kanë qenë llapjanë dhe se ata janë detyruar të shkojnë në komunat tjera për shkak të mungesës së ofrimit të kushteve për të bërë biznes.

Ndërsa, Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LVV-së, Haki Rudari, ka thënë se vizioni i tanishëm i kësaj strategjie tregon se vizioni ka munguar më parë.

“Vizioni që është themeluar kështu deri tash duket se ka munguar”, ka thënë Rudari.

Lidhur me këtë Draft Strategji, U.d. i drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik , Avni Fetahu, ka thënë se kjo strategji është reale dhe është hartuar në kuadër të mundësive dhe planeve strategjike të Komunës së Podujevës./Llapi.info