Familjet e fundit që banojnë në kontejnerët e Lagjes së Dëshmorëve në Balloc të Podujevës së shpejti do të bëhen me shtëpi të reja, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Sipas njoftimit, në këtë lagje sot ka filluar ndërtimi i 22 shtëpive të reja, me ç’rast nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka vendosur solemnisht gurthemelin e ndërtimit të shtëpive.
Nënkryetari Rudari me këtë rast ka thënë se me ndërtimin e këtyre shtëpive edhe familjet e fundit, që janë të strehuara në kontejnerë, do të bëhen me shtëpi të reja.
“Ashtu siç edhe kemi premtuar, me finalizimin e këtij projekti, të gjitha familjet që deri tani banonin në kushte të rënda në kontejnerë, po bëhen me shtëpi të reja. Kjo lagje po merr pamjen e një vendbanimi modern, duke pasur këtu edhe ambulancën dhe shkollën”, ka deklaruar Rudari.
Deri tash në këtë lagje 90 familje janë vendosur në shtëpi të reja, si pjesë e projektit të përbashkët të Komunës së Podujevës me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Me ndërtimin e këtyre shtëpive shkon në 112 numri i shtëpive të ndërtuara në këtë lagje. /Llapi.info