Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara nga Komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, për shënimin e 19 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Podujevës, në palestrën e sporteve “Hakif Zejnullahu” nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, u mbajt Turneu Memorial në Karate, transmeton Llapi.info
Në ceremoninë e hapjes së turneut mori pjesë Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Donika Sfishta dhe zyrtarë të tjerë komunalë.
Në fjalën e tij përshëndetëse nënkryetari Rudari uroi të gjitha ekipet pjesëmarrëse, duke e vlerësuar këtë turne si ngjarje shumë të rëndësishme për sportin në komunën e Podujevës, veçanërisht për faktin se kjo garë po zhvillohet në njërën nga datat më të rëndësishme të saj, Ditën e Çlirimit.
Në Turneun Memorial “Rrahim Curri &Behar Begolli, i cili është i 18 –ti me radhë u zhvilluan gara individuale në kategori të ndryshme, ndërsa kjo ngjarje u organizua nga Klubi i Karatesë “Besa” e Lluzhanit, ku morën pjesë klube të karatesë nga Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.
Gjithashtu në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit në fshatin Kërpimeh me iniciativë të aktivistëve të Klubit “17 Qershori”, në këtë fshat u organizua një ndeshje në mes të veteranëve dhe juniorëve të këtij klubi.
Për nder të 19 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Podujevës, do të organizohen edhe aktivitete të tjera kulturore dhe sportive./Llapi.info