Bajramin e ardhshëm të gjithë besimtarët myslimanë do të kenë mundësi ta falin në Xhaminë Qendrore në Prishtinë. Thënë shkurt, ndërtimet për xhaminë e madhe, të planifikuara tash e gjysmë dekade, pritet që të nisin brenda pak ditëve. Leja për kushtet ndërtimore të xhamisë tashmë i është dhënë BIK’ut. Ndërkohë që këta të fundit kanë konfirmuar për Express se ndërtimet pritet të nisin së shpejti. Por BIK fillimisht duhet të aplikojë për leje të ndërtimit në komunë, gjë të cilën ende nuk e ka bërë.
Lajmi i shumë pritur për besimtarët myslimanë, pritet që të jetësohet brenda pak ditëve. Xhamia Qendrore në Prishtinë do të fillojë të ndërtohet gjatë muajit shtator.
Ndonëse në të kaluarën ka pasur shumë zëra rreth ndërtimit të saj, lajmin për nisjen e punimeve për ndërtimin e xhamisë i ka konfirmuar për Express zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.
Ai ka thënë se ditëve në vijim pritet që të vendosen rrethojat tek lokacioni i njohur si “Posta e madhe” në Prishtinë, tek të cili është vënë gur themeli për ndërtimin e xhamisë. Ahmeti për Express sqaron se tashmë gjithçka është gati për nisjen e punimeve.
“Shumë shpejt pritet të fillojnë punimet. Këto ditë fillon rrethimi i parcelës, pastaj nisin punimet. Kjo pritet që të ndodhë gjatë shtatorit”, ka thënë Ahmeti.
Por punimet rreth ndërtimit të kësaj xhamie qe një vit janë zvarritur nga BIK’u. Komuna e Prishtinës gjatë vitit të kaluar ia kishte dhënë dritën e gjelbër këtij institucioni fetar për nisjen e punimeve dhe për kushtet ndërtimore.
Kështu i thanë Expressit zyrtarë të komunës së Shpend Ahmetit. Me gjithë këtë, sipas ligjit BIK duhet të aplikojë për leje të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, e këtë gjë Bashkësia Islame e Kosovës ende nuk e ka bërë.
“Ka më shumë se një vit që Bashkësia Islame e Kosovës ka marr përgjigjen pozitive për kushtet ndërtimore. Së fundmi, përfaqësuesit e BIK kanë kërkuar që të zgjatet afati i kushteve ndërtimore, sepse sipas ligjit kushtet ndërtimore e kanë afatin e vet të caktuar brenda të cilit duhet të aplikohet për leje ndërtimi”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Nga komuna shpresojnë se BIK’u së shpejti do ta dorëzojë kërkesën për lejen e ndërtimit.
“Me gjasë, BIK ende nuk është e gatshme të procedojë tutje, dhe si rrjedhojë, ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi”, sqarojnë nga komuna.
E janë bërë më shumë se gjashtë vjet që nga hedhja e gur themelit për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Xhamia Qendrore, lokacioni i të cilës pritet të jetë në lagjen “Dardania” afër objektit të Telekomit të Kosovës, ka qenë temë diskutimi mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës për lëshimin e lejes për fillimin e ndërtimeve.
Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik. Mirëpo pas konsultave ndërmjet kryetarit të Prishtinës dhe kryetrarit të Bashkësisë islame të Kosovës është arritur konsensus që xhamia të ndërtohet në lagjen Ulpiana.
Kjo xhami do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro