Pas përfundimit të lloteve tjera, sot ka nisur asfaltimi i segmentit të pestë të rrugës Besi – Podujevë, raporton Llapi.info.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ky segment është i gjatë mbi katër kilometra, derisa MIT ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për shkak të pengesave që mund të hasin nga punimet.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton publikun e gjerë se të hënën ka filluar asfaltimi i segmentit të pestë të rrugës Besi-Podujevë, i gjatë mbi 4.2 kilometra dhe është pjesë e projektit “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, rreth rrotullimi Besi-Podujevë”. MIT kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për shkak të pengesave që mund të hasin gjatë asfaltimit të këtij segment, i cili do të përfundojë gjatë ditëve në vijim”, ka njoftuar MI.
Ndërkaq, zgjerimi i rrugës nacionale Prishtinë – Podujevë është përcjellë me akuza të shumta për zvarritje të punimeve, derisa punimet kanë filluar para rreth katër vitesh.
Për këto zvarritje kanë reaguar edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa protesta kanë paralajmëruar partitë opozitare në Podujevë nëse do të ketë sërish ngadalësim të punimeve./Llapi.info