Sot ka filluar mësimi në objektin e ri të Shkollës Fillore “Shefki Kuleta” në fshatin Halabak të Podujevës. Mësimi në këtë shkollë ka filluar pak ditë pas përurimit të objektit të ri të kësaj shkolle. Lajmin për portalin Llapi.info e kanë bërë të ditur banorët e këtij fshati.

Sipas tyre, fëmijët sot kanë filluar mësimin në objektin e ri të shkollës në Halabak.

Se sot do të fillonte mësimi në këtë shkollë, kishte thënë edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, sipas të cilit, mësimi nuk ka filluar të premten për shkak të disa çështjeve teknike dhe se nuk qëndrojnë ato që mësimi nuk ka filluar për shkak të mungesës së mësuesve.

“Sot duhet me i dërgu disa lëndë djegëse për me e ngrohë ambientin sepse nuk ka. Muret me u ter edhe pak. Nuk është mungesa e mësuesve që nuk ka filluar mësimi, sepse të gjithë mësuesit që kanë qenë, dy në Tërrnavë, një si zëvendësim në Orllan dhe një në Bollopojë do të kthehen në shkollën e Halabakut, aty edhe ku kanë qenë. Janë çështje teknike që mësimi nuk ka filluar” kishte thënë Maloku të shtunën për Llapi.info./Llapi.info