Sot ka nisur projekti për ndërtimin e ujësjellësit për fshatin Orllan të Podujevës, në vlerë totale prej 979.880.40 euro, projekt ky i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komunës së Podujevës dhe kompanisë së ujësjellësit, raporton Llapi.info.

Në vënien e gurthemelit ka marrë pjesë Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, së bashku me të parin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe kryeshefin e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu.

Me këtë rast, i pari i Podujevës, Agim Veliu duke u shprehur i lumtur për fillimin e këtyre punimeve, ka shtuar se projekti është i rëndësisë së madhe për regjionin e Orllanit.

“Sot jemi në fshatin Shajkoc për fillimin e punimeve për ujësjellësit për furnizimin me ujë të fshatrave të regjionit të Orllanit. Në këtë kyçje mund të kenë edhe pjesëmarrës të tjerë sepse kemi edhe Herticën pa mbuluar, ky është projekt i përbashkët i Komunës, Ministrisë dhe kompanisë së ujësjellësit. Komuna e ka hartuar projektin dhe për këtë vit ka ndarë një shumë prej 121 mijë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm planifikojmë të ndajmë edhe një shumë në bazë të nevojës që kërkohet”, ka thënë Veliu.

Ndërsa, udhëheqësi në këtë ministri, Fatmir Matoshi ka thënë se sfidat për nisjen e këtij projekti tashmë janë kaluar, kurse realizimi i tij do të bëhet, siç ka thënë ai, në kohë rekorde.

“Ka dhjetëra-qindra fshatra anembanë Kosovës të cilat sot ende nuk e gëzojnë qasjen në ujin e pijes, ndërsa, padrejtësia më e madhe iu ka ndodhur për vite të tëra banorëve të fshatit Orllan, ku nga i vend furnizohet gjithë Prishtina, Podujeva, kurse vetë banorët kanë qenë të privuar nga kjo e drejtë. MMPH është e lumtur dhe kënaqur që ka mundur me fillua këtë projekt me vlerë rreth 1 milion euro, duke falënderuar edhe Komunën e Podujevës, Koordinatorin Besnik Tahirin, kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” dhe duke falënderuar edhe banorët për durimin që e kanë bërë. Tani i kemi kaluar sfidat dhe besoj që ky projekt do të implementohet në kohë rekord”, ka thënë Matoshi.

Rexhep Zeka, drejtor ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, tha se kontribut të madh për fillimin këtij projekti kanë vetë banorët e kësaj pjese.

“Sot është një ditë e veçantë për banorët e Orllanit, natyrisht që vetë angazhimi i banorëve ka bërë që ky projekt të fillojë, projekti ky i një nevoje të kamotshme “, ka thënë Zeka.

Ndryshe, realizimi i këtij projekti është mundësuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, Komuna e Podujevës dhe Kompania e Ujësjellësit, ndërsa projekti kap shifrat e 979. 880.40 euro.

Duhet përkujtuar se vetë banorët e Orllanit patën protestuar disa herë për mungesën e ujësjellësit, pasi që siç thoshin ata, gjysma e Kosovës furnizohet me ujë të pijes nga liqeni që shtrihet në tokat e tyre./Llapi.info

Image may contain: 6 people, outdoor
Image may contain: 14 people, indoor