30 punëtor janë angazhuar në realizimin e projektit për pastrimin e Parkut të Paqes në Podujevë, projekt ky i përbashkët në mes Komunës së Podujevës dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Lajmin për portalin Llapi.info e ka bërë të ditur Zyra për Informim në Komunën e Podujevës.

Ky projekt i cili do të zgjas dy muaj, parasheh pastrimin e hapësirës me drujë, largimi i shkurreve dhe mbeturinave.

Për të përcjellur nga afër punimet në realizimin e këtij projekti, Parkun e Paqes e ka vizituar kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu.

Veliu tha se mbrojtja e ambientit dhe krijimi i hapësirave të gjelbëruara vazhdon të jetë një nga prioritetet e qeverisë komunale.

“Me pastrimin e kësaj hapësire ne po vazhdojmë të ruajmë një ambient atraktiv për qytetarët e shumtë, që e frekuentojnë këtë park”, ka thënë Veliu.

Projekti i pastrimit të Parkut të Paqes po realizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe zëvendësministres së Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj-Beqaj, për punësimin sezonal të 30 punëkërkuesve.

Deri tani është pastruar një sipërfaqe prej rreth tre hektarësh./Llapi.info