Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtor, ka inspektuar sot fillimin e asfaltimit të segmentit të pestë, në kuadër të zgjerimit të rrugës N25, Podujevë – Prishtinë.
Lekaj ka deklaruar se projekti është duke u implementuar në afat të caktuar, pas të gjitha ndryshimeve që janë bërë në projektin e 2015-tës, duke evituar gabimet e gjetura në projekt. Ai tregoi se janë shtuar edhe shiriti ndihmës, bashkë me stacionet e autobusëve, që ishte kërkesë e qytetarëve.
Asfaltimi i këtij segmenti në hyrje të Podujevës do të përfundojë brenda 7 ditëve, ndërsa Lekaj ka kërkuar mirëkuptim të qytetarëve të kësaj ane, duke deklaruar se aty ku punohet ka edhe pengesa.
“Projekti në tërësi ka kosto mbi 9 milionë euro, kurse segmenti i pestë që po asfaltohet sot ka kosto mbi 4.5 milionë euro dhe kjo rrugë u’a mundëson qytetarëve dhe bizneseve qarkullimin e lirë. Podujeva e meriton këtë përkushtim tonin, sepse kanë dhënë shumë për këtë vend”, tha pos tjerash ministri Pal Lekaj.
Ministri Lekaj ka inspektuar edhe segmentet tjera të kësaj rruge, me ç’rast kërkoi nga kompanitë që t’i respektojnë afatet kohore dhe standardet e punimeve ashtu siç kërkohen me kontratë, thuhet në kumtesë./Llapi.info