Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se ka filluar sot me shpërndarjen e 500 pakove të para ushqimore për familjet në nevojë, të siguruara nga buxheti i Komunës, njofton Llapi.info.

Sipas kumtesës komunale, këto pako ushqimore u janë shpërndarë familjeve me gjendje të rëndë sociale dhe atyre që u është përkeqësuar gjendja materiale.

“Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, tha se për familjet nga qyteti shpërndarja e pakove ushqimore po bëhet në Palestrën e Sporteve, ndërsa për familjet në fshatra kemi angazhuar staf dhe automjete të Komunës, për t’i dërguar pakot në secilën familje të evidentuar nga përfaqësuesi i fshatit/lagjes dhe nga listat e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

Më herët edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, e ka bërë të ditur fillimin e shpërndarjes së këtyre ndihmave në faqen e tij zyrtare në Facebook. Për këtë ka reaguar asamblisti i VV-së, Pajtim Balaj, duke shtuar se këto pako janë votuar nga të gjitha partitë politike në Podujevë, teksa ka thënë se thënë se reklamimi i këtyre pakove në kohë fushate nga kandidati i LDK-së, është keqpërdorim i pozitës zyrtare.

“Kjo pako ushqimore është votuar nga të gjithë asamblistët e të gjitha partive politike dhe si e tillë nuk ka pse të promovohet në faqen e Nexhmi Rudarit. Është ndihmë e Komunës së Podujevës për qytetarët e Podujevës. Reklamimi i kësaj pakoje në faqen e kandidatit të LDK-së, në kohë fushate, është keqpërdorim i pozitës së tij dhe instrumentalizim i ndihmave në funksion të përfitimit të votës për zgjedhjet lokale”, ka shkruar këshilltari Balaj.

Kuvendi i Komunës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë 125,000 euro për ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike./Llapi.info