Sot kanë filluar punimet për renovimin e stadiumit të KF. “Llapi”. Gërimi, drenazhimi me sistemin e ujitjes dhe vendosja e barit me vija, do të jenë punimet të cilat do të kryhen brenda 60 ditëve. Ndërsa, projekti për realizimin e këtyre punimeve kap vlerën në 206.000 mijë euro, raporton Llapi.info.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, njëherish kryetar i KF. “Llapi” ka bërë të ditur për Llapi.info se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) do ta financojë projektin në vlerë prej 206.000 euro për rregullimin e fushës së futbollit të KF. “Llapi”.
“Mjetet për rehabilitimin e stadiumit të qytetit i ka ndarë qeveria, gjegjësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Është një projekt me mbi 200.000 mijë euro. Do të rehabilitohet fusha dhe çkado që mund të punohet edhe me tutje”, ka thënë Veliu.
Veliu ka shtuar se në proces është edhe hartimi i projektit për rregullimin në tërësi te stadiumit, duke treguar se projekti që ka filluar sot implementimin është vonuar për shkak të ankesave të disa kompanive gjatë fazës së tenderimit dhe prokurimit.
Ndërsa, pranverën e ka parë si mundësi kur KF. “Llapi” do të ketë mundësi të i zhvilloj ndeshjet në këtë stadium.
Nga ana tjetër, drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, ka thënë se renovimi i kësaj fushe do të bëhet sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s.
“Në bazë të kërkesës së Komunës së Podujevës dhe nevojës për renovimin e stadiumit, tu e pa edhe zhvillimin e aktiviteteve në futboll, është parë nevoja që të bëhet drenazhimi dhe vendosja e barit artificial në bazë të kritereve të UEFA-s dhe FIFA-s…Besoj se në bazë të planit dinamik do të realizohet projekti dhe projektit zbatues që do të implementohet në këtë fushë lojë, vlera e të cilit është 206.000 mijë euro”, ka thënë Alaj për Llapi.info.
“Këtu do te investohet drenazhimi me sistemin e ujitjes dhe vendosjen e barit me vija dhe të gjitha ato që i parasheh zhvillimi i nevojave të fushës”, ka shtuar Alaj.
Ai ka treguar se janë në hartim të projektit për tribuna dhe zhveshtore në këtë stadium, projekt ky që pritet të filloj pas përfundimit të fazës së parë të punimeve.
Alaj po ashtu ka bërë të ditur se 60 ditë janë paraparë për të përfunduar këto punime, duke thënë se nësë kompania nuk i kryen punimet me kohë do të ndëshohet.
“Albi Company” është kompania e cila do i kryej punimet e renovimit të stadiumit të KF. “Llapi”./Llapi.info