Nëse bisedon me Aurelio de Laurentiisin, atëherë duhet të ulesh dhe të presësh. Ai ka tendenca për të marrë një rrugë të gjatë në bisedë; përgjigjet e tij vijnë me anekdota dhe me gjëegjëza e me pyetje retorike.
Ka kohë kur të bën të hamendësosh nëse e ka dërguar bisedën tepër gjatë, pasi ai bëhet aq i shpërqendruar saqë e humb thelbin.
Duke dëgjuar, është e vështirë të kuptosh saktësisht se si një pyetje për ndarjen e të hyrave të Ligës së Kampionëve çon te rreziqet që vijnë nga mafia kalabreze “Ndrangheta”, por ja që De Laurentiis e çon bisedën atje, shkruan sot Koha Ditore.
Mirëpo nuk është ndonjë përvojë e hidhur. De Laurentiis mund të jetë më i famshëm tash si pronar i skuadrës italiane të futbollit Napoli, të cilën e shpëtoi nga harresa dhe e ngriti në majë të futbollit italian dhe po ashtu në Evropë. Por ai ende në zemër është një producent i filmit, një njeri për shou. Ai di si të bëjë një storie, si të përmbledhë atë dhe ta bëjë më emocionuese. Dhe kur ai arrin në destinacionin që ia ka vënë vetes, e që e bën gjithmonë, atëherë ia vlen pritja.
De Laurentiis mbi të gjitha kurrë nuk ka qenë pa ide edhe se si të revolucionarizohet futbolli, kurrë pa një kurban për të therë apo pa një traditë për të ndryshuar. Ai në disa raste në kohët e fundit kishte thënë se ndeshja e futbollit duhet të zvogëlohet nga 90 në 60 minuta, dhe ka insistuar në zhdukjen e UEFA-s, duke thënë se fuqia duhet t’iu dorëzohet klubeve më të mëdha të Evropës.