Disa lopë kanë qenë arsyeja që dy familje nga fshati Lismir i Fushë Kosovës të dielën që shkoi u rrahën keq me njëra-tjetrën. Djali i axhës së myftiut të Kosovës, Naim Tërnavës, Zymeri, dyshohet se e rrahu 15 –vjeçarin, E.Tërnava, si dhe 20-vjeçarin tjetër D.Tërnava derisa këta të fundit po i dërgonin bagëtitë për në shtëpi. 15-vjeçari, thotë se djali i Zymerit e gjuajti nga ura e fshatit, e cila është e lartë gati shtatë metra. Por familja e Zymerit, mohon ta ketë gjuajtur nga ura djalin. Familjen e 15-vjeçarit të lënduar, ata po e quajnë si problematike. Nga kjo përleshje katër persona janë arrestuar.

Gjatë ditës së diel, E. Tërnava e D.Tërnava, njëri 15 e tjetri 20-vjeçar, kishin marrë rreth 15 krerë lopë për t’i dërguar për kullosje në njërën nga fushat e fshatit Lismir të Komunës së Fushë Kosovës. Të dy këta bashkë me bagëtitë qëndruan në livadhet e fshatit deri në orën 18:30 të pasdites të së dieles.

Por duke u kthyer në shtëpi atyre u doli një problem. Po thonë se u sulmuan nga Zymeri dhe djali i tij.

Gazeta Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në fshatin Lismir, aty ku ka biseduar me familjen e 15-vjeçarit si dhe familjen e Zymerit.

15-vjeçari për Express, ka shpjeguar se si u sulmua nga familja që mbajnë të njëjtin mbiemër-Tërnava.

“Të dielen ka ndodhë. Ne kemi bagëti. Jemi kanë tu i ruajt. Ka qenë ora 18:30 qat’herë ai (Zymeri) erdhi me kerr, tentoi me e shkelë djalin e axhës tem. Nisi me sha, del nga vetura edhe me një çekan nisë me i ra atij. Ai ia qet dorën për mos me i ra”, tregon për momentin e parë të përleshjes me Zymerin 15-vjecari.

Ai thotë se edhe vet u sulmua nga një person tjetër që kishte qenë në veturë me Zymerin.

15-vjeçari: Na sulmuan, e pastaj më gjuajtën nga ura shtatë metërshe

15-vjeçari, E.Tërnava po deklaron se u hodh nga ura e fshatit nga djali i Zymerit, urë kjo e cila është gati shtatë metra e lartë.

“….ka ardh djali i tij e veç më ka gjujtë poshtë. Pastaj nuk di asgjë ma se çka ka ndodhë. Ai më ka ra grusht pas qafës, mu më ka hupë vetëdija e më ka gjujtë poshtë prej urës. Më kanë çu në spital, tani kanë ardhur policia”, ka treguar E.Tërnava.

Në rrahjen me Zymerin është përfshirë edhe prindi i 15-vjeçarit, Dauti. Ai me gurë e kishte goditur veturën e Zymerit dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar lëndime trupore atij.

Dauti, i cili tashmë është arrestuar nga ana e policisë së Kosovës i kishte shpjeguar familjes se si kishte ndodhur ngjarja.

“Ai më tha se kishte kaluar nga vendi ku kishte ndodhur përleshja. Kishte shkuar deri tek shkolla. Kur e ka pa, mbas e ka pa që po rrahën. Kur ka shku Dauti e ka pa djalin poshtë urës. Kur e kanë pa ata (Zymeri me djalin e tij) tu vrapu Dautin, kanë hip në veturë. Ky e kap një tullë e i bie xhamit. Shoferit i terravet. Ata pastaj kanë ikë me kerr”, ka thënë njëri nga axhallarët e 15-vjecarit të lënduar.

Pasi që Dauti e kishte goditur Zymerin me gurë në veturë, e kishte marrë djalin duke e dërguar për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Mirëpo, familja e 15-vjeçarit, i cili thotë se u hodh nga ura nga familjarët (kushërinj) e myftiut Naim Tërnava, po deklarojnë edhe viteve tjera kanë pasur konflikt me familjarët e myftiut. Madje për këtë punë, ata thonë se e kishin lajmëruar edhe vet myftiun.

“Ne e kemi lajmërua edhe myftiun Naim Tërnavën që dy-tri vite. I kemi thanë që lopët po i lëshojmë gjithë në këtë kohë e që po iu pengojnë atyre. Ne tri familje mbahemi nga këto lopë. Që tri vite rend po na bëjnë probleme. Ne edhe njerëz kemi çu të Naimi, që me fol me të. Por nuk ka ndodhë asgjë”, ka deklaruar axha i 15-vjecarit.

Në media u raportuar se ishte vëllau i Myftiut ai që ka qenë i përfshirë në rrahje por kjo është mohuar nga vet Myftiu i cili ka thënë se nuk ka vëlla me emrin Zymer. Ai madje ka paralajmëruar edhe padi për shpifje.

Vëllai i Zymerit: Nuk janë të vërteta deklaratat e familjes së 15-vjeçarit

Por te familja e Zymerit po deklarojnë se nuk e kanë gjuajtur nga ura e fshatit 15-vjeçarin, E.Tërnava.

Vëllai i Zymerit, i cili u arrestua të dielën nga polica e Kosovës, Enveri, ka mohuar që nipi i tij ta ketë gjuajtur 15-vjeçarin. Ai familjen e Dautit, po e quan si mjaftë problematike.


Vetura e Zymer Tërnvavës. Ai u sulmua nga prindi i 15-vjeçarit


“Sikur të kish gju nga ura, ai djalë nuk kishte me shpëtu. Nuk janë të vërteta deklaratat. Probleme me ta ka pas edhe një kojshi i joni këtu që tash jeton në Fushë Kosovë. Ka qenë me grua në veturë kur e kanë sulmu”, ka thënë për Gazetën, Enveri.

Ai tregon se pas përleshjes e kishte parë për disa minuta vëllain e tij. Por thotë se nuk ka biseduar gjatë rreth asaj se çka kishte ndodhur.

“Unë vëllain atë ditë e kam pa veç pak. Ata nuk është hera e parë që po i bëjnë këto provokime. Nuk është e vërtetë që vëllai jem e ka gjuajtur prej urës. Vëllai jem është sulmu prej tre atyre. Shiheni veturën se qysh është sulmu vëllai im. Dokument e keni veturën. Çka thonë ata unë nuk e di se çka thonë”, sqaron vëllai i Zymerit.

Por megjithëkëtë, Enveri, vazhdon të deklarojë se familja e Dautit duhet t’i largojë lopët nga rruga në mënyrë që veturat të kalojnë.

“Në fund të fundit përse nuk i largojnë lopët prej rrugës. Kur të kalojnë veturat le ti largojnë loptë prej rrugës”, shpjegon tutje Enveri.

E ndërkohë me këtë çështje tashmë është duke u marrë edhe policia e Kosovës. Nën prangat e kësaj të fundit kanë përfunduar katër persona. Dauti me nip si dhe Zymeri me djalin e tij.

Këta të fundit gjatë ditës së sotme kanë dal para Gjykatës për të dhënë versionet e tyre rreth gjithë ngjarjes.

Tutje policia e Kosovës në raportin e saj ka shpjeguar për arrestimin e këtyre personave.

“Të dielen rreth orës 18:30 ka ndodhur një rrahje në mes të disa personave, Policia ka arrestuar pesë (5) të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, katër prej tyre me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, njofton policia./