Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka reaguar pas deklaratës së Baton Haxhiut, i cili tha se shteti i Kosovës duhet t’i amnistojë krimet e Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare.
Në një shkrim në Facebook, deputeti Haziri, ka kërkuar që të kursehen familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Na kurseni gjatë këtij muaji të Ramazanit. Na kurseni nga kjo kohë e rëndë e pandemisë. Mbi të gjitha, na kurseni ato mijëra familjet që shpirti i tyre s’do të gjej qetësi derisa të ketë drejtësi për më të dashurit e tyre”, ka shkruar Haziri.
Tutje, ai përmend faktin që deklarata e Baton Haxhiut, nuk është deklaratë e një gazetari, por një qëndrim i presidentit Thaçi, të cilët janë miq të vjetër.
Madje, Haziri thotë se presidenti Thaçi kur dëshiron ta masë opinionin publik për një çështje të caktuar, e përdor Baton Haxhiun.
Deputeti i Vetëvendosjes, thekson se një gjë duhet të kihet parasysh, që: krimet ndaj popullsisë shqiptare nuk do të mund t’i falë askush.
Shkrimi i plotë i deputetit Fitim Haziri:
Kur Hashim Thaçi dëshiron ta masë opinionin publik, e përdor Baton Haxhiun. Pra, problemi është se po flet presidenti e jo gazetari. Është qëndrim i Thaçit e jo mendim i Batonit. Tentativa për falje të krimeve të Serbisë do të mbetet vetëm tentativë. S’do të mund ta bëj askush. Ama askush. Qëllimi i presidentit është zhbërja e Gjykatës Speciale, të cilën e themeloi mbi presione të tmerrshme mbi shumicën e deputetëve të asaj legjislature. Për t’u anuluar ky vendim i tij, ai po synon t’i falë krimet ndaj civilëve shqiptarë. Të jemi të qartë për një gjë: krimet nuk amnistohen, kriminelët serbë nuk do të falen. Deshti apo nuk deshti Hashim Thaçi dhe mujsharët e tij.
Drejtësi për viktimat!
LUTJE:
Na kurseni gjatë këtij muaji të Ramazanit. Na kurseni nga kjo kohë e rëndë e pandemisë. Mbi të gjitha, na kurseni ato mijëra familjet që shpirti i tyre s’do të gjej qetësi derisa të ketë drejtësi për më të dashurit e tyre.