Llapi ka shënuar fitore minimale në derbin e kësaj jave ndaj Gjilanit 0-1, duke arkëtuar tri pikët e plota pas pesë javësh, shkruan Llapi.info.
Golin e vetëm dhe të fitores e realizoi Kushtrim Shabani në minutën e 82’. Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka paralajmëruar “kthimin e fuqishëm” të skuadrës që drejton.
Batatina ka theksuar se në këtë ndeshje, sipas tij, Llapi e pati një përparësi, pasi nuk zhvilloi ndeshjen ndaj Ballkani në mesjavë.
“Çdo ekipi, çdo trajneri i duhet kohë kur bën ndryshime në ekip. Llapi ka stabilitet në çdo aspekt dhe nuk i mungon asnjëherë durimi. Më mirë është për një ekip ta kalojë krizën në fillim sesa në fund të kampionatit. Do të na shërbejë për të mirë ky pushim dhe nëse arrijmë të marrim sa më shumë pikë në tri ndeshjet e ardhshme, atëherë Llapi do të jetë pjesë e katërshes së parë. E rëndësishme është që fituam pikët e plota. Nuk jemi dorëzuar asnjëherë dhe nuk do të dorëzohemi. Në futboll duhet të kesh durim”, ka thënë Batatina.
Gjilani pas humbjes mbetet e dyta me 14 pikë, ndërsa Llapi ka 8 pikë pas shtatë ndeshjeve./Llapi.info